Interi ishte vetëm 10 minuta larg kualifikimit më tej në Champions Ligë. Goli i Kristian Eriksen i dha fitoren Totenhemit, mbajti gjallë shpresat e ekipit anglez për t’u kualifikuar dhe rrezikon shumë të ardhmen e zikaltërve në këtë kompeticion.
Të dy ekipet ndodhen në kuotën e 7 pikëve, por Totenhemi ndodhet sipër në tabelë, pasi vendos goli jashtë fushe i shënuar në humbjen 2-1 në “San Siro”. Interi pret PSV në ndeshjen e fundit, por fitorja nuk mund të mjaftojë. Ekipit të Spaletit i duhet një rezultat më i mirë se Totenhemi për të kaluar më tej.
Këta të fundit luajnë në Spanjë kundër Barcelonës, që është kualifikuar dhe ka siguruar vendin e parë në grup. Ekipi i Poçetinos e ka gjithçka në dorën e vet, por fitorja kundër Barçës nuk është një mision aspak i thjeshtë.
Interi shpreson të fitojë me PSV dhe të presë lajme të mira nga “Camp Nou”, aty ku ekipi i fundit që ka triumfuar në Europë është Bajerni i Mynihut. Ishte 1 maji i vitit 2013 dhe bavarezët shkatërronin Barçën me rezultatin 0-3 dhe kalonin në finalen e madhe, pasi kishin fituar dhe ndeshjen e parë me rezultatin 4-0.