Nuk ka mrekulli, nuk ka përmbysje… Siti i Guardiolës eliminohet nga Champions League, duke u mundur edhe në shtëpi nga Liverpuli, që ka bërë praktikisht një nga ato ndeshjet stoike, duke u mbrojtur me mish e shpirt në pjesën e parë dhe goditur në pjesën e dytë, me të zakonshmin Mohamed Salah, i jashtëzakonshëm, duke heshtur kështu “City of Manchester” dhe Pep Guardiolën, që u përjashtua nga arbitri në fund të pjesës së parë. E të mendosh që gjithçka nisi mirë për Sitin, që gjeti golin me anë të Gabriel Hezus, pas vetëm 2 minutash lojë.
Vendësit u ankuan edhe për një gol të anulluar, të dyshimtë. Pikërisht ky moment solli edhe indinjatën e vendësve, teksa pjesa e parë u mbyll edhe me një shtyllë të ekipit të Guardiolës. Por, ishte minuta e 56 kur stadiumi heshti: Salah, vrasësi i ndeshjes së parë, përfitoi nga një situatë në zonën e rreptësisë, pasi Mane depërtoi dhe u ndal nga portieri, duke e kaluar këtë të fundit dhe duke e kaluar edhe mbrojtësin me parabolë.
Një barazim që shuajti shpresat e Sitit dhe që i dha mundësi të kuqëve që të shënonin edhe golin e dytë, me Firminon, duke mbyllur kështu historinë dhe duke mos bllokuar rrugën e Liverpulit për më tej.