Mbrëmjen e së mërkurës Liverpul u vu përballë Çelsit në kupën angleze, “Carabo Cup”, ku ekipi i Klop u mund 1-2 me përmbysje nga blutë e Londrës. Ishte një supergol i Eden Hazard që zgjidhi ndeshjen për të besuarit e Sarrit, vetëm 5 minuta përpara mbylljes së kohës së rregullt.
Pikërisht 4 ditë pas së mërkurës, konkretisht pasditen e së shtunës, Çelsi dhe Liverpul rikthehen të përplasen mes tyre, këtë herë në fushën e londinezve. Një sfidë që vlen dhe kreun e klasifikimit të Premier Ligë, ku momentalisht Liverpul udhëheq me 18 pikë të plota pas gjashtë javëve dhe ndiqet nga Çelsi dhe Mançester Siti me nga 16 pikë secila.
Për përballjen e nesërme Liverpuli i Jurgen Klop vijon të jetë në ankth për sa i përket riaftësimit të një ndër lojtarëve me të rëndësishëm në klub. Pikërisht mbrojtësi holandez, Virxhil Van Dijk është në dyshim për këtë përballje si pasojë e një dëmtimi të pësuar javën e kaluar ndaj Sauthempton.
Mbrojtësi më i shtrenjtë i historisë mund të jetë një mungesë shumë e rëndësishme për të besuarit e Klop, në një sfidë ku Liverpul nuk mendon të ndalë serinë e fitoreve radhazi në kampionat. Trajneri gjerman ka deklaruar dhe përpara mediave se akoma nuk ka marrë një përgjigje përfundimtare për gjendjen e mbrojtësit dhe ende çdo gjë është në dyshim.