PSG më në fund ngjitet në lartësinë e pritshmërive dhe zhvillon një ndeshje të madhe, duke mundur Liverpulin, që ka përpara një finale me Napolin. Ndërkaq, Porto e Shalke kalojnë duke u zbavitur.
Paris SG – Liverpul 2-1
Golat: Bernat 13’, Nejmar 37’ / Milner 45’+1 (pen.)
Bufon tha para ndeshjes së sotme se sulmi i Liverpulit është më i miri në botë, por ndoshta ka ndryshuar mendim pas 90 minutave në Paris, ku PSG dërrmoi Liverpulin, falë paraqitjes madhështore të yjeve të sulmit. Liverpuli bëri shumë pak, në pjesën e parë PSG e shtypi dhe Bernat e Nejmar shënuan dy gola, por mund të ishin më shumë. Milner me penallti shkurtoi dhe pjesa e dytë u bë shumë interesante, por Liverpuli nuk ishte në mbrëmjen e duhur dhe tashmë do i duhet të mundë Napolin me 2 gola diferencë nëse nuk e ndihmon Crvena Zvezda, për të kaluar në turin e ardhshëm. Edhe PSG nuk ka mbaruar punë, sepse do i duhet të fitojë në Serbi në ndeshjen e fundit, nëse fiton Liverpuli.
Napoli – Crvena Zvezda 3-1
Golat: Hamshik 11’, Mertens 33’, 52’ / El Fardu 57’
Pas paraqitjes mediokre në kampionat kundër Kievos, Napoli ka bërë autokritikë, duke munduar pa asnjë problem Crvena Zvezdën në Champions, por festë nuk ka. Shpresohej te fitorja e Liverpulit në Francë dhe kjo nuk erdhi, ndaj ndeshja e fundit në Angli do të jetë betejë për jetë a vdekje. Crvena ishte në garë për kreun deri para ndeshjes së sotme, por diferencat janë të mëdha në një grup ferri dhe Hamshik fillim e Mertens me dy gola më pas vranë shpresat e serbëve, që tashmë kanë një shpresë për të shkuar në Europa League, por vetëm nëse fitojnë ndaj PSG dhe Napoli fiton në Liverpul.
Dortmund – Klub Bryzh 0-0
Dortmundit i duhej një pikë për të kaluar në fazën e ardhshme në Champions League dhe nuk ka gabuar. Skuadra gjermane luajti thuajse me më të mirët kundër Bryzhit, për të mos rrezikuar në një përballje direkte dhe dominoi totalisht, me mbi 70% zotërim topi, por e goditi pak portën kundërshtare dhe nuk e gjeti dot golin, që gjithsesi nuk e prish festën, me Bryzhin që ngushëllohet me kalimin në Europa League.
Porto – Shalke 3-1
Golat: Militao 52’, Korona 55’, Marega 90’+4 / Bentaleb 88’
Ashtu si ndodhi dje me Roma-Real, edhe Porto-Shalke u bë ndeshje pa vlerë, për shkaks e Gallatasaraj u mund më herët në Moskë nga Lokomotiva. Me kualifikimin të sigurt, Shalke nuk u sforcua shumë dhe nuk është se ia vlente, kundër një rivali në formë si Porto, që sidomos në shtëpi luan shumë mirë.
Militao e Korona shënuan golat e fitores që vlen edhe mbylljen e grupit për portugezët, tashmë të kualifikuar si të parët, ndjekur nga Shalke.