Mesfushori i Kukësit, Vesel Limaj, beson ende te titulli kampion. Futbollisti i verilindorëve dha një intervistë për “Supersport”, ku foli për garën me Partizanin dhe të ardhmen.
“Është një diferencë shumë e madhe, 9 pikë me 10 ndeshje të mbetura, por në futboll nuk i dihet asnjëherë. Është shumë e vështirë, por do japim maksimumin ndeshje pas ndeshje. Besoj se Partizani do të lërë pikë”.
“Kampionati është shumë mirë me kualitet, ka lojtarë cilësor. Ndihem mirë këtu. Normalisht që do të vazhdoj këtu edhe sezonin tjetër sipas kontratës”, tha Limaj. Të njëjtin mendim me Limajn ndan dhe ish-futbollisti i Kukësit, Rrahman Hallaçi, i cili punon prej dy vitesh në rolin e ndihmës-trajnerit.
“Shpresë kemi pasi e lejon matematika. Nuk ka mbaruar asgjë ende dhe ka shumë ndeshje për t’u luajtur. Edhe ne po të ishim të shkëputur nuk do ishim të qetë. Kuptohet është e vështirë, por nuk jemi dorëzuar akoma”, tha Hallaçi .