Lilaj tregon problemin e Shqipërisë: Duhet një formacion stabël

Sabien Lilaj ështe një nga lojtarët e kombëtares të zgjedhur për konferencën për shtyp, përpara ndeshjes të së shtunës kundër Skocisë. Mesfushori i Gabalës në kampionatin e Azerbaixhanit ka treguar shkaqet e humbjes në Skoci dhe Izrael, ndërkohë që mohon mos impenjimin e lojtarëve në kombëtare.

Grupi ka pësuar ndryshime dhe lëvizje të shumta në formacion, ndërsa mungon dhe goli. Lilaj tregon punën e bërë për t’u përmirësuar dhe beson se një fitore kundër Skocisë do të rregullonte shumë gjëra në kampin kuqezi.

TURNEU – “Ky kompeticion është në vend të ndeshjeve miqësore, është një përgatitje për Europianin. Çdo ndeshje me kombëtaren është e rëndësishme, çdokush vjen për të treguar vlerat. Edhe rezultatet e mira ndikojnë në frymën e grupit dhe të jemi më të fortë në ndeshjet në vijim. E kemi parë si mundësi për të shkuar në Europian, por tani është e vështirë. Shpresojmë të na ketë shërbyer për forcimin e grupit, pavarësisht një loje jo të mirë në Skoci. Goli i parë ishte pozicion jashtë loje. Në Izrael pësuam prej shpërqendrimit. Nuk e di nëse kemi shanse po dolëm të dytët. Të shohim ndeshjen e radhës.”

SHQIPËRIA – “Nuk them dot që nuk jemi impenjuar. Nuk e kemi luksin të marrim lehtë ndeshjet, edhe me skuadra më të lehta kemi humbur. Ka pasur shumë lëvizje, nuk kemi qenë në grup. Nuk është se kemi kualitete shumë të mëdha. Vetëm nëse luajmë në grup mund të jemi të fortë.”

NDËRRIMET – “Kur ndërrojnë lojtarët është e vështirë edhe për grupin. Formacionin e vendos trajneri, nuk mund të themi ne pse nuk luan një formacion stabël. Shpresoj ta kemi shumë shpejt një të tillë dhe një grup më të fortë.”

GOLI – “Na e ka vënë në dukje edhe trajneri. Kemi punuar edhe me gjuajtjet në portë, por edhe skema do përshtatet që të jemi pranë portës. Goli është edhe fat, Balaj ka pasur 3-4 raste e nuk ka shënuar. Nëse fitojmë këtë ndeshje, gjithçka do të jetë Ok.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *