Lika kundër së kaluarës, Luftëtari për konfirmim

0

Trajneri i gjirokastritëve e ka drejtuar disa sezone Teutën, por kohët kanë ndryshuar dhe sot synon vetëm 3 pikët, që do ta ngrinin shumë ekipin e tij

Gëzim Beqiri

Ndeshja e parë e javë së 10-të e Superiores luhet sot në Gjirokastër, ku Luftëtari vendës pret Teutën. Të dyja skuadrat e shohin veten larg asaj që kishin parashikuar para nisjes së kampionatit dhe ky 90-minutësh vlen shumë. Skuadra gjirokastrite, me Hasan Likën në stol, ka dhënë sinjalin e parë të ringritjes me fitoren ndaj Lushnjës, por sigurisht që i duhet vazhdimësi dhe sot mendon vetëm 3 pikët. Tri ndeshjet radhazi në shtëpi duhen shfrytëzuar nga Luftëtarit për të lënë zonën e fundit e tabelës dhe për të fituar më shumë besim në vetvete për të ecur përpara. Prova e parë u kaluar me sukses, e dyta është sot, kurse e treta pas disa ditësh me Laçin. Por përcaktuese do të jetë përballja e sotme me durrsakët, të cilët trajneri Lika e njeh mirë. Kërkohet “hakmarrja” e fazës së parë dhe nëse gjirokastritët ia dalin, zhytin edhe më thellë në krizë Teutën, që nuk po arrin të ngrejë kokë pas shumë e shumë javësh. Në ndeshjen e sotme durrsakët do të përpiqen me të gjitha forcat të largojnë krizën, por në tranfsertë kanë treguar probleme të mëdha deri tani.
LIKA – Në konferencën e djeshme për shtyp, trajneri i Luftëtarit, Hasan Lika, është shprehur se e mbush me optimizëm fakti që skuadra ka punuar mirë dhe se i ka të gatshëm të gjithë futbollistët. Teutën e vlerëson, por sigurisht që dëshiron ta mundë. Me të tjerash trajneri Lika theksoi: ”Kemi bërë të gjitha përgatitjet për ndeshjen me Teutën dhe rezultatin do ta vendosë fusha, por skuadra jonë ka vetëm një objektiv: fitoren. Pas trepikëshit me Lushnjën, jemi përqendruar te ndeshja e nesërme (sotme). Kohën në dispozicion e kemi pasur të mjaftueshme. Parashikoj një lojë të fortë, sepse edhe Teuta do të kërkojë të marrë pikë. Këtë do ta kërkojë çdo skuadër në Gjirokastër, ashtu si edhe në kur luajmë ndaj ekipeve të tjera. E kam një histori me skuadrën durrsake, duke qenë disa sezone trajner tek ajo, por nuk mund të them se e njoh lojën e saj dhe se janë marrë masat për ta goditur në pikat më të dobëta apo ta pengoj në pikat më të forta të saj. Gjërat ndryshojnë në kohë, ndaj duhet të zhvillojmë lojën tonë dhe sa më mirë ta interpretojmë në fushë atë që kemi përfituar nga stërvitja dhe sa më mirë futbollistët të zbatojnë detyrat taktike, aq më i mirë për ne do të jetë rezultati. Nëse ka qenë dikur “skuadra ime”, nuk do të thotë të mos e konsideroj nesër “kundërshtar”. Një mundësi e mirë për ne është se të gjithë futbollistët janë të gatshëm për t’u aktivizuar, duke llogaritur edhe Toledon dhe Rrocën, që patën problem shëndetësore. Nuk mendoj se do të ketë ndryshime në formacion nga ai me Lushnjën, por para ndeshjes do ta shpall atë. Rëndësi ka që të gjithë janë gati dhe që ta mbyllim ndeshjen me fitore.”

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.