Trajneri i Luftëtarit, Hasan Lika, pohon se sot mund të ndryshojë rreshtimin taktik, pasi janë disa lojtarë me probleme fizike
Gëzim Beqiri
Dje u është dhënë “dora e fundit” përgatitjeve për takimin shumë të rëndësishëm me Flamurtarin, që Luftëtari e zhvillon sot në stadiumin “Gjirokastra”. Skuadra gjirokastrite është 4 pikë para dhe përfundimi i këtij takimi vendos shumë për objektivin e sezonit, kupat e Europës. Trajneri Hasan Lika ka punuar 60 minuta dje, duke praktikuar edhe një lojë mes dy skuadrave të improvizuara. Vasil Shkurtaj mungonte, pasi ishte në sallën e forcës dhe mbetet në dyshim të fortë për sot, me pak gjasa për ta nisur ndeshjen nga fillimi. Po sot do të vendoset edhe për 2-3 lojtarë të tjerë titullarë, por emrat e tyre dje nuk janë bërë të ditur. Stërvitja është mbyllur me disa variante taktike dhe vendosje në goditjet standarde. Pasdite është zhvilluar një analizë në formën e një mbledhjeje, pasi kërkohet që lojtarët të përqendrohen në zbatimin e detyrave taktike. Vlerësimi i ndeshjes është maksimal, madje në çdo stërvitje ka qenë prezent edhe presidenti Grigor Tavo. Futbollistët janë të mobilizuar për ta mbyllur ndeshjen me fitore që të shkëputen më shumë nga Flamurtari.
LIKA – Në konferencën e zakonshme për shtyp, trajneri Lika është shprehur optimist për fitore, ndërkohë që ka pranuar se do të ketë ndryshime në formacion për shkak të mungesave që priten: ”Jemi stërvitur seriozisht për ndeshjen e radhës, por shqetësim për ne është gjendja fizike e disa futbollistëve. Tre-katër prej tyre janë ende në diskutim dhe do të vendosim nesër (sot). Shkurtaj ka më pak mundësi aktivizimi në krahasim me të tjerët. Mund të ndryshojmë formacion, por edhe vendosjen taktike të skuadrës. Ndaj çdo kundërshtari japim maksimumin dhe kështu do të veprojmë edhe ndaj Flamurtarit, që është një ekip i vështirë për t’u mundur. Nuk i ka munguar loja deri tani, por vetëm rezultatet. Vlerësim maksimal do të tregonim në fushë edhe nëse nuk do të kishim para Flamurtarin, sepse çdo skuadër është e vështirë. Ne bëjmë punën tonë, drejtuesit e kanë bërë edhe më mirë punën, ndaj duhet ta mbyllim me fitore ndeshjen”, – theksoi trajneri Lika.
Formacioni i mundshëm
Athanasopulos – Liçaj Rapa Jakovljeviç Xhekson – Aleksi Ramadani – Abazaj Rroca Bregu – Lamçja