Të gjithë sulmojnë FSHF-në kur gjërat shkojnë keq, por klubet tona ende nuk po binden që shpëtimi i tyre është Liga e Futbollit. FSHF i ka ftuar shpesh presidentët të ulen e të gjejnë një marrëveshje për krijimin e Ligës, organ që do të shërbente shumë për largimin e dyshimeve në lidhje me shumë gjëra, pasi kampionatin do ta organizonin vetë klubet, jashtë kontrollit të Federatës, një alibi e keqpërdorur nga shumë presidentë klubesh
Tani, zëvendëspresidenti i FSHF-së Edvin Libohova, duke folur në mikrofonin e Supersportit, tregon se ka zhvilluar takime me drejtuesit e klubeve për krijimin e Ligës Profesioniste dhe gjithçka duket në rrugën e duhur.
“Pas takimeve individuale që kemi zhvilluar me të gjithë presidentët e klubeve, kemi marrë një miratim në parim dhe një gatishmëri për të krijuar Ligën. Është një proces i ri, që është tentuar disa vite më parë, por ka dështuar. Me eksperiencën që do të ofrojmë nga pikëpamja organizative dhe ligjore, besoj që vetë klubet do të ndërgjegjësohen dhe do të krijojnë vetë strukturën e tyre, e cila do të jetë shumë më e përshtatshme për zhvillimin e garës.”
“Pas përfundimit të veprimtarive sportive në këtë sezon do të zhvillojmë një takim përmbyllës, në të cilin do të vendoset përfundimisht mënyra sesi klubet do të operojnë nga pikëpamja e statutit, zgjedhja e organeve drejtuese dhe mënyra e menaxhimit, që nis me diskutimet për soponsorët, komunikimi me mediat dhe për arbitrimin.”
“Duke parë mënyrën sesi zhvillohet gara në terren, duke parë pakënaqësitë apo pretendimet që klubet dhe presidentët kanë ndaj njëri-tjetrit, mund të themi që edhe kjo fushë ka problematikat e saj. Nëse deri më sot të gjitha pakënaqësitë drejtohen ndaj federatës apo sistemit të arbitrimit, nesër klubet do ta kenë midis tyre dhe nuk do të kenë ku të qahen. Përveç gatishmërisë për ta krijuar dhe dëshirës, sigurisht që do të ketë edhe problematika për funksionimin më të mirë në ndihmë të zhvillimit të garës.”
Libohova beson se nëse klubet do të gjejnë dakordësinë për të krijuar Ligën Profesioniste, ky institucion mund të jetë funksional prej vitit të ardhshëm.
“Nëse së bashku me klubet do të dakordësohemi në takimin përmbyllës do të mbetet vetëm ana administrative dhe proceduriale: pra statuti, legalizimi, regjistrimi në gjykatë dhe krijimi i strukturave përkatëse drejtuese. Nëse do të bihet dakord për çdo gjë, besoj që vitin e ardhshëm duhet ta kemi Ligën e Futbollit.”