Levi tregon sekretet e Mladës: Skënderbe, kujdes nga Matejovski dhe kundërsulmi!

Trajneri i njohur çek, kampion në Korçë në sezonin 2011/2012, i kthehet periudhës shqiptare dhe analizon sfidën mes korçarëve e Mladas: “Favorite është Mlada, stadiumi problem për Skënderbeun”

Intervistoi: Blerim Jahaj

Në Shqipëri kanë ardhur shumë trajnerë të huaj ndër vite, por pak prej tyre mund të krenohen se ia kanë dalë mbanë. Natyrisht, Xhani De Biazi është përjashtimi i madh, por nuk mund të mos përmendim edhe Stanislav Levin, trajner i Skënderbeut në sezonin 2011-2012. Ishte viti i dytë i serisë së titujve rresht te Skënderbeu, po niste ndërtimi i një perandorie, por në Korçë nuk ishin të kënaqur me fillimin e sezonit nën drejtimin e Shpëtim Duros, trajneri kampion në fuqi. Një humbje në Laç më 2 tetor 2011 ishte fatale për Duron, i cili u pasua nga Levi.

Në Korçë kishin një fiksim: duhej ndryshim mentaliteti dhe një trajner i huaj do të ishte perfekt, mundësisht me CV të pasur dhe me aftësinë për të vendosur disiplinë të lartë në ekip. U përzgjodh Levi: ish-futbollist i kombëtares së ish-Çekosllovakisë, mbi 300 ndeshje si futbollist me Bohemians në ish-Çekosllovaki dhe BW 90 Berlin e TeBe Berlin në Gjermani. Si trajner, CV impresionuese: TeBe Berlin, Hanovër, Sarbryken, Zhizhkov, Slovacko, Pëlzen, Zlin. Pas dy vitesh në Zlin, Levi mori ofertën joshëse nga Korça e panjohur, nga Shqipëria e panjohur. Rrezikoi, i besoi projektit që i ofruan, nuk i shkoi keq, sepse doli kampion në Korçë. Drejtoi 39 ndeshje, fitoi 25 prej tyre, ndërsa u largua pas eliminimit në Champions League nga Debreçeni. Në Korçë një gol i Plakut siguroi fitoren 1-0 për Skënderbeun, por ishte herët për të tentuar gjëra të mëdha dhe Debreçeni shumë superior fitoi 3-0 në Hungari. Aty u mbyll aventura e parë shqiptare e Levit, i cili shkoi në Poloni, ku drejtoi Slaskun në periudhën 2012-2014.

Në vitin 2015 e telefonuan nga Vlora, Flamurtari dëshironte të niste një projekt po aq ambicioz sa Skënderbeu, në Vlorë dëshiron një emër të huaj për të nisur gjithçka nga zero, pa ndërhyrje e pa dallime vlonjat-i huaj. Levi dukej njeriu ideal, por Vlora nuk ishte ambienti i duhur. Probleme financiare pa fund, nga ato që i njohim mirë prej vitesh, dhe Levi rezistoi vetëm pak muaj, duke u larguar me dëshpërim, me shumë stres të akumuluar, në një sezon ku që në tetor nisën largimet e lojtarëve për paga të vonuara dhe më pas edhe Levi braktisi “anijen”, duke u pozicionuar qartazi në krahun e futbollistëve, që kërkonin atë që u takonte.

Trajneri çek tashmë punon në atdhe, ku prej vitit 2016 drejton me sukses Slovackon, klub modest, pa pretendime të mëdha, që synon mbijetesën e qetë dhe mesin e tabelës. Klubi çek po ia del mbanë dhe Levi vazhdon punën i qetë, ndërsa këto ditë ka qenë në Austri për fazën përgatitore, në prag të sezonit të ri. Aty kemi kontaktuar me Levin, i cili me mirësjellje ka pranuar të japë një intervistë për “Sport Ekspres”, duke folur për eksperiencën shqiptare dhe mbi të gjitha për një ndeshje që ai e njeh si pak të tjerë: Skënderbeu-Mlada Boleslav në Europa League.

…..

Përshëndetje, zoti Levi, ju jeni ende një trajner mjaft i njohur në Shqipëri dhe sidomos në Korçë ju kujtojnë ende me respekt. Keni drejtuar 5 vite më parë në Korçë, kur klubi korçar ishte në fillet e sukseseve të mëdha të viteve të fundit dhe ende kujtohet titulli i fituar me ju, duke veçuar disiplinën e vendosur nga ju në skuadër.

Faleminderit, unë e mbaj mend mirë Skënderbeun dhe Korçën dhe i kthehem me kënaqësi asaj periudhe, kur bëhet fjalë për atë sezon që kalova atje. E ndjek ende Skënderbeun, duke parë rregullisht rezultatet. Jam shumë i kënaqur që kam lënë një përshtypje të mirë në Korçë dhe gjithashtu më vjen mirë që Skënderbeu ka ecur në rrugën e duhur.

Duke iu kthyer asaj periudhe, çfarë iu ka lënë mbresa, në aspektin pozitiv, por edhe në aspektin negativ?

Shumica e kujtimeve nga puna dhe koha që kalova në Korçë janë pozitive, ne fituam kampionatin, shkuam deri në finalen e kupës, atmosfera në qytet dhe në stadium ishte madhështore, ndaj duke bërë një bilanc tani, nuk kam ndonjë arsye për t’u ankuar. Ia kam kaluar shumë mirë, kam kujtime të mira.

Po nga futbolli shqiptar, çfarë kujtimesh keni?

Vlen e njëjta përgjigje si më sipër, mbaj mend kryesisht gjërat e mira. Mund të ketë pasur ndonjë gjë të pakëndshme për momentin, por ato harrohen shpejt, sepse shumica janë kujtime mjaft të mira.

Në Korçë pate një bilanc mjaft të mirë, por u largove në korrik 2012. A erdhi largimi për humbjen kundër Debreçenit, që në fakt ishte një klub superior në atë moment, në krahasim me Skënderbeun?

Në fakt, Skënderbeu më bëri ofertë për rinovim edhe pas humbjes në kthim kundër Debreçenit. Megjithatë, meqë presidenti Agim Zeqo u postua nga kreu i klubit, vendosa të mos e rinovoj kontratën. Gjithsesi, Skënderbeun e kam ende në zemër.

A i ke ruajtur kontaktet me ndokënd nga ata që ke punuar në Shqipëri? Skënderbeu vazhdon të ketë lojtarë që i ke drejtuar edhe ti, si Shehi, Radas, Muzaka apo shënuesi i ndeshjes së fundit kundër Kairatit, Plaku.

Po, mbaj kontakte me Agim Zeqon dhe gjithashtu mora me vete në Poloni Sebino Plakun, por gjithashtu kontrolloj gjithmonë ecurinë e karrierës së lojtarëve që kam pasur në skuadrat e mia në Shqipëri.

Po në lidhje me eksperiencën te Flamurtari, çfarë kujtimesh keni? Sepse largimi juaj ishte traumatik, mes shumë problemeve që prej asaj kohe shfaqen shpesh në Vlorë.

Kur shkova te Flamurtari, kisha si synim kualifikimin e atij klubi për në kupat e Europës. Presidenti i klubit dëshironte të firmoste një kontratë afatgjatë me mua, pas disa javësh punë, por problemet financiare, që kryesisht prekën lojtarët, nuk na lejuan që të punonim në mënyrë profesionale, ndaj edhe unë u largova, pas pak muajsh në Vlorë.

Duke qëndruar te Skënderbeu, klubi korçar ka dominuar në Shqipëri deri sezonin e shkuar. Këtë verë Skënderbeu është kthyer në kupat e Europës dhe ka kaluar dy ture në Europa League, duke u vendosur përballë Mlada Boleslavit në turin e tretë. Një mendim për këtë përballje?

Skënderbeu ka një skuadër mjaft të mirë dhe me shumë eksperiencë, por unë mendoj se Mlada Boleslavi është skuadra favorite. E ndjek rregullisht Skënderbeun dhe di që do ta luajë në Elbasan ndeshjen e kthimit, ndaj ky është një problem madhor. Atmosfera në Korçë është shumë më e frikshme për kundërshtarët.

Cila është diferenca mes Mladas dhe skuadrave të elitës në Çeki, si Sparta, Sllavia apo Pëlzen? Sa shanse i jepni Skënderbeut për kualifikim?

Sparta, Sllavia e Pëlzen janë klubet elitare në Çeki, janë më të pasur dhe kanë mundësinë të blejnë lojtarë të mirë nga jashtë. Pastaj ka disa klube të mirë, si Mlada Boleslav, që luftojnë rregullisht për një vend në Europa League. Nuk pretendojnë dot për titull, por janë gjithë aty, pas skuadrave të elitës. Për sa u përket shanseve të Skënderbeut, ata duhet të luajnë shkëlqyeshëm dhe të mos bëjnë asnjë gabim, nëse duan të kualifikohen për në turin e ardhshëm.

Mlada ka disa lojtarë cilësorë, cilit duhet t’i druhet më shumë Skënderbeu? Cilat janë pikat e forta të Mladas, sipas jush, duke qenë se e keni mundur në mars me Slovackon?

Mlada është një skuadër mjaft e mirë, që kombinohet në mënyrë të shkëlqyer dhe luan lojë në grup. Ka një kundërsulm mjaft të mirë dhe është e rrezikshme në goditjet standarde. Matejovski është krijuesi, mendja e lojës së Mladas, ndërsa Mebrahtu është një sulmues shumë i zoti. Mlada në përgjithësi nuk ka pika të dobëta, është e kompletuar në çdo rol dhe nuk ndryshon shumë nga sezoni në sezon, çka është një avantazh në Europë, sepse në verë nuk ke kohë të ndryshosh shumë lojtarë.

Duke qenë një njohës i mirë i dy kampionateve, si e shihni kampionatin çek në krahasim me atë shqiptar, në aspektin e profesionalizmit, e lehtësisë për të punuar, ambientit, kushteve të punës? Dihet që Shqipëria është inferiore në infrastrukturë, për shembull…

Niveli i stresit për një trajner është pak a shumë i njëjti në të dy vendet, ndërsa për të tjerat jam dakord, kampionati çek është në një nivel më të lartë. Futbolli çek bazohet te taktika, disiplina dhe përgatitja e mirë fizike. Gjithashtu, në Republikën Çeke vihet një theks i rëndësishëm te puna me të rinjtë dhe gjithashtu shumica e stadiumeve janë modernë, me infrastrukturë të shkëlqyer, edhe për sa u përket ambienteve stërvitore.

Në të ardhmen, a do ta merrje në konsideratë një ofertë nga ndonjë klub shqiptar, tani që e njeh mirë Shqipërinë, me të mirat dhe të këqijat e saj?

Nëse bëhet fjalë për një klub të organizuar mirë dhe me synime madhore, natyrisht që do ta merrja parasysh një ofertë në të ardhmen.

Së fundi, një mesazh për tifozët nga Korça, që iu kujtojnë me respekt?

Do doja ta shfrytëzoja këtë intervistë për t’i falënderuar sërish për mbështetjen dhe për kohën e shkëlqyer që kam kaluar në Korçë dhe me Skënderbeun. Uroj që të takohemi së shpejti!

Stanislav Levi

Ditëlindja             2 maj 1958

Vendlindja          Pragë, Çekosllovaki

 

Karriera si futbollist

Vitet                    Skuadra              Ndeshje/Gola

1977–1978           RH Volary

1978–1979           Cheb

1979–1988           Bohemians         201         (18)

1988–1992           BW 90 Berlin       125         (7)

1993–1994           TeBe Berlin         20           (3)

Me kombëtaren

1983–1988           Çekosllovakia     25           (0)

 

Karriera si trajner

1998–1999           TeBe Berlin

2001                    Hannover 96

2003                   1. FC Sarbryken

2004–2005           Viktoria Zhizhkov

2005–2006           1. FC Slovácko

2006–2008           Viktoria Plzen

2009–2011           Tescoma Zlín

2011–2012           Skënderbeu

2012–2014           Slask Vloclav

2015–2016           Flamurtari

2016–                  1. FC Slovácko

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *