Mesfushori: Nuk do kthehesha edhe nëse do më kontaktonte Kukësi apo Teuta. Sfidën e së shtunës e zgjidh Çyrbja ose Guri…
Jurgen Zela
Mjaftuan dy ndeshje me Kukësin në Kupat e Europës që Nijas Lena të kishte vetëm një mundësi transferimi, që e konsumoi me kalimin te Teuta. Edhe aty gjërat nuk shkuan siç duhet dhe në janar tërhoqi dokumentacionin dhe doli lojtar i lirë. Me statusin e kampionit, por pa mundësi që të luaj në një tjetër skuadër, Nijas Lena është i detyruar që të presë merkaton e verës që të rikthehet të luajë me një skuadër. Aktualisht mesfushori nga Strusa po stërvitet fort që të mbajë ritmin, edhe pse ai e pranon se nuk është e njëjta gjë. Për “Sport Ekspres”, futbollisti me një eksperiencë mjaft të madhe në Superiore, ka zbuluar një prapaskenë me transferimin e mundshëm në Suedi. Në të njëjtën kohë 31-vjeçari analizon dhe ndeshjen mes dy ish-skuadrave të tij, Kukësit dhe Teutës. Nuk mund të qëndronte larg vëmendjes dhe çështja e Skënderbeut, pasi Lena ka qenë pjesë e Flamurtarit në atë sezon të shumëpërfolur.
Nijas, nuk jeni aktiv në futbollin e luajtur që nga dhjetori. Sa e vështirë është që të ruash formën deri në qershor?
Formën maksimale është vështirë për ta mbajtur pa luajtur në ndeshje zyrtare, por mundohem që të bëj stërvitje dhe ta ruaj formën fizike.
– Sa ju penalizoi fakti që i kishit djegur dritaret e transferimit?
Patjetër që më penalizmi. Nuk kisha të drejtë të luaja për këto 6 muaj. I pari që më kontaktoi ishte profesor Ernest Gjoka, për t’iu bashkuar Vllaznisë për këtë periudhë. Më pas u informuam për rregulloren dhe e falënderoj shumë për besimin që kishte tek unë.
– Ne janar ishit në Suedi, pse nuk u konkretizua një marrëveshje atje?
Isha në Suedi për disa ditë në bisedime me një skuadër, por emrin nuk ka nevojë që ta bëj të ditur. Arsyeja pse nuk qëndrova tek ai klub ndoshta ishte se trajneri ishte serb. Transferimi dështoi. Dua të shtoj diçka këtu për klubet shqiptare, që kur të afrojnë futbollistë serbë, të mendohen shumë mirë. Ai lojtar serb duhet të jetë tre herë më i mirë se një shqiptar, që t’ia zërë vendin një djalit tonë shqiptar. Nuk duhet t’u hapim derën shumë lehtë me kontrata të majme.
– Pasi u mësua për rregullin e transferimeve, a keni pasur ndonjë kontakt me Kukësin apo Teutën për rikthim?
Jo, nuk kam pasur asnjë kontakt, as nga Kukësi dhe as nga Teuta. Edhe nëse do kisha, nuk do e kisha bërë diçka të tillë.
-Pak më shumë se dy muaj larg Superiores, si ka qene kjo periudhë për Lenën?
Patjetër që për çdo futbollist profesionist është e vështirë kur vjen fundjava e mos të zbresë në fushë për të luajtur. Po mundohem që ta kaloj me qetësi këtë periudhë, duke u stërvitur në mënyrën më të mirë, që të jem i përgatitur për sezonin që vjen.
– Përballen dy ish-skuadrat tuajat të shtunën. Si e prisni këtë takim dhe kush mund ta zgjidhë?
Është një përballje për dy objektiva të ndryshëm. Kukësi për t’iu afruar kreut, ndërsa Teuta për mbijetesë. Mendoj që Kukësi është favorit në këtë përballje, por duhet kujdes, pasi Teuta është shumë e motivuar për të marrë pikë. Kam besim te Çyrbja se mund të zgjidhë diçka në këtë takim. Nga Kukësi besoj se Guri. Ai po kalon një periudhë shumë të mirë dhe një formë të shkëlqyer.
–E mendoni një rikthim në Superiore?
Patjetër që e mendoj një rikthim në Superiore. Jam në pritje të ndonjë oferte serioze, ku të tregoj dhe një herë vlerat e mia si futbollist.
-Flitet për dënimin e Skënderbeut, sa do e prishte kampionatit?
Për dënimin e Skënderbeut shpresoj mos të ndodhë nëse vërtetë është i pastër nga ato akuza që pretendon UEFA. Do i prishte shumë punë kampionatit shqiptar. Do të ulej ndjeshëm niveli, po ashtu për vetë futbollistët, që nuk do kenë më kontratat që kanë aktualisht, por do të uleshin në një përqindje të madhe.
-Meqë jemi te kjo temë, titulli me Flamurtarin ndoshta një peng…
Sa i përket titullit që nuk fitova me Flamurtarin, patjetër që më ka ngelur peng, sepse ishim ne ekipi më i mirë i Superligës atë vit. Por edhe e meritonim ne atë titull. T’ia lëmë UEFA-s se çdo të vendosë dhe për këtë vit.