Kapiteni i Teutës: Besoj se ekipi do të dijë të shfaqet në mënyrën më të mirë, aq më shumë që kemi mbështetjen e zjarrtë të tifozëve tanë
Jurgen Zela
Teuta po kalon një moment të mirë dhe duket se kriza është lënë pas krahëve përfundimisht. Durrsakët kanë marrë më shumë pikë se asnjë skuadër tjetër në tri ndeshjet e para të fazës së dytë, plot 7 pikë, pas 2 fitoresh dhe 1 barazimi. Kapiteni i skuadrës durrsake, Nijas Lena, beson se ajo situatë e vështirë që Teuta kaloi në fazën e parë, nuk do të përsëritet. E thekson se duhet parë me besim përpara, teksa flet për “Sport Ekspres”: “Kemi bërë një nisje shumë të mirë të fazës së dytë dhe kemi marrë më shumë pikë se çdo skuadër tjetër në këto tre takime. Them se ka kaluar ajo periudhë jo e mirë dhe besoj se nuk do të përsëritet më në këtë kampionat”.
Nga ndeshja me Kamzën në Kupën e Shqipërisë, tek ajo në kampionat, mesfushori i durrsakëve tregon se ndryshon dinamika e tyre. Njëkohësisht, ai thekson se rezultati i ndeshjes së parë në Kupë është mjaft favorizues për skuadrën e tij: “Për katër ditë dy ndeshje me Kamzën, por ndryshojnë nga njëra-tjetra, pasi Kupa ka specifikë të veçantë. Mendoj se rezultati 1-1 në fushë kundërshtare na favorizon për kualifikimin”, – vijon 31-vjeçari. Me 15 pikë në klasifikim, Teuta qëndron në të njëjtat pozita me Laçin dhe Partizanin. Për këtë aspekt, strugani shprehet se kampionati është mjaft i fortë, por beson se Teuta, duke i marrë ndeshjet një e nga një, do të arrijë atë që kërkon: “Ne futemi për të marrë tri pikët në çdo ndeshje. Po punojmë shumë të ngjitemi sa më lart në tabelën e klasifikimit, por duke i marrë ndeshjet me radhë, pasi rivaliteti është shumë i madh. Kemi përpara Kamzën, këtë herë në kampionat, dhe shpresoj të fitojmë. Patjetër që e njohim më mirë kundërshtarin, por po e njëjta gjë vlen edhe për ta, pasi jemi ndeshur dy herë deri më tani. Besoj se ekipi do të dijë që të shfaqet në mënyrën më të mirë, aq më shumë që do të kemi dhe mbështetjen e zjarrtë të tifozëve tanë”, – përfundon kapiteni i Teutës, Nijas Lena.