Futbolli i moshave është specifik dhe herë pas herë tepër i ashpër. Një episod i veçantë ka ndodhur në futbollin italian, konkretisht tek ekipi U17 i Novarës. Lojtarët e skuadrës njiheshin si të dhunshëm, tepër agresivë, madje në disa raste duke kërcënuar kundërshtarët dhe arbitrat e ndeshjes.
Presidenti i Akademisë së Novarës ka tentuar disa herë t’i qetësojë lojtarët e tij, madje ka thërritur dhe prindërit e tyre, por asnjë ndryshim. Adoleshentët e Novarës as që kishin ndërmend të ndryshonin stilin e tyre dhe presidenti, i lodhur nga mungesa e disiplinës, ka ndërmarrë veprimin ekstrem, duke tërhequr ekipin nga kampionati.
“Është një sinjal që duam t’u japim djemve tanë, por ne shpresojmë se do të jetë i dobishëm për të rinjtë që merren me sport, të cilët duhet të sillen me korrektësi në fushën e blertë. Gjithmonë. Keqtrajtimet ishin në rendin e ditës dhe ka ndodhur në më shumë se një ndeshje të jemi ndëshkuar me të kuqe. Në disa raste jemi detyruar të marrim pjesë dhe në fyerje dhe kërcënime kundrejt arbitrave. Kemi folur me djemtë në më shumë se një rast, madje kemi thirrur dhe prindërit e tyre, por nuk ka patur asnjë ndryshim. Kemi njoftuar Federatën se, nëse gjendja nuk përmirësohet, do të detyroheshim të tërhiqnim skuadrën nga gara. Kështu ka ndodhur, sepse qëndrimet e dhunshme dhe antisportive janë kundër mënyrës tonë të të kuptuarit të vlerave të sportit. Federata na dha gjithë mbështetjen e mundur, por në fund u detyruam të marrim këtë vendim ekstrem. Po djemtë korrektë të skuadrës? Do të bëjmë të pamundurën për t’i ndihmuar për të gjetur një ekip të ri. Me gjestin tonë duam të japim një sinjal për të gjithë, sepse në fushë duhet të sillemi ashtu siç duhet”, përfundon presidenti i Akademisë së Novarës.