Legjendari Altafini: “Nejmar e teproi, Ronaldo më duket operacion komercial”

Më 24 korrik mbush 80 vjeç Zhoze Zhoao Altafini, një legjendë e futbollit botëror, një rast i rrallë, sepse ka lindur në Pirasikaba të Brazilit, doli kampion bote me Brazilin në 1958, ndërsa më pas u transferua nga Palmeirasi te Milani, duke u bërë një legjendë kuqezi, me dy tituj e një Kupë Kampionesh (me dygolësh ndaj Benfikës në finale). Jo vetëm kaq, sepse luajti edhe me Napolin e Juventusin, duke fituar edhe dy tituj me këtë të fundit, ndërkohë që në periudhën 1961-1962 luajti për kombëtaren italiane (!).

Tani Altafini është italian, ka 60 vite që jeton në Itali dhe punon edhe si analist e komentator (“manuali i futbollit” i përket atij si shprehje), por e ndjek gjithnjë Brazilin e tij dhe në mediat italiane ka lëshuar disa intervista sot, duke folur për Brazilin, Kristiano Ronaldon e shumë tema të tjera.

Brazili nuk ishte skuadra më e fortë e Botërorit, as në vitin 2015. Në krahasim me atëherë skuadra ishte përmirësuar, por jo aq sa duhej. Tani forca fizike mbizotëron ndaj fantazisë”, thotë Altafini, i cili flet edhe për numrin 10 të Brazilit, Nejmarin e shumëkritikuar: “E kanë kritikuar për skenat që bën në fushë, por shumica e faulleve të pësuar ishin të vërtetë. I ka theksuar shumë prej tyre, më pas e ekzagjeroi në të kundërt, duke mos protestuar fare për një penallti ndaj Belgjikës që në fakt ishte. Për të evituar që të përsëriten këto histori dhe të mos bëhet antipatik, Nejmari duhet të kthehet një person i përulur”.

Po trajneri Tite? “Bënte ndërrimet e duhura, ka mentalitet fitues. Duhet konfirmuar në drejtim”.

“Italia? Një turp i madh mungesa në Botëror. Uroj që Mançini të dijë të shpikë diçka, sepse Italia aktuale nuk ka lojtarë të mëdhenj”.

Kristiano Ronaldo te Juventusi: “Një blerje shumë e madhe, por kjo nuk do të thotë që tashmë Champions League është e fituar. Blerja e tij më duket më shumë një operacion komercial. Tregu i çmendur? E vërtetë, unë kushtova 140 milionë lireta, nuk e di sa do vleja tani. Një çmenduri edhe me fanellat, më parë ekzistonte vetëm një, tani tifozët duhet të blejnë çdo vit fanellë të re”.

Pasardhësi i Altafinit? “Nuk shoh ndonjë. Futbollistët ndahen në dy kategori: ata të fuqishëm si Ronaldo, Eusebio e Batistuta, dhe ata me klas, si Mesi, Pele e Baxhio. Unë bëj pjesë në të dy kategoritë (qesh)”.

Tifoz? “Në zemër kam ngjyrën jeshile të Palmeirasit, por bëj tifozllëk për ata që sjellin inovacion dhe në këtë aspekt Guardiola është më i miri”.

Pelè apo Maradona,dilema e përjetshme: “Zgjedh të parin, pa dyshim. I përdorte të dyja këmbët njësoj, edhe në vrap e sipër. Nuk i mungonte asgjë, shënonte edhe me akrobaci. Një fenomen i bekuar nga Zoti. Mesi? Është më i madhi. Nuk ka fituar asgjë me kombëtaren, por as Krujf e Di Stefano nuk kanë fituar me kombëtaren. Klasi nuk matet me trofe”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *