Ish-kampioni i botës dhe i Europës si lojtar, në vitet 1998 dhe 2000 dhe një prej sulmuesve më të mëdhenj të futbollit modern, Tierri Henri, do të nisë aventurën si trajner. Pasi qëndroi si asistent i Roberto Martinez në stolin e Belgjikës, 40-vjeçari do të drejtojë skuadrën e tij të parë.
Henri pritet të emërohet në stolin e Aston Vilas. Lajmi është konfirmuar nga britanikja “Daily Star”. Sipas gazetës, drejtuesit e klubit kanë kontaktuar ish-sulmuesin në rrugë informale.
Kjo edhe për faktin se klubi nga Birmingami, që militon në Championship (liga e dytë angleze) duhet që më parë të zgjidhë kontratën me trajnerin aktual Stiv Brus. Tashmë ka pak dyshime: Henri do të kthehet në Angli, ku pas karrierës si futbollist do të nisë një aventurë të re në stol. Marrëveshja është arritur, francezi është gati dhe pritet vetëm zyrtarizimi.