Dëshira e Lotitos më në fund është plotësuar dhe Lazio ka zbritur në qendrën e saj stërvitore për të kryer stërvitjen. Pasojat e këtij pushimi të gjatë e të detyruar patjetër që do të jenë të mëdha për lojtarët, por bardhekaltrit kanë besim se do të vijojnë suksesin e jashtëzakonshëm që e nisën këtë sezon dhe u ndërpre për shkak të pandemisë. Mbi rikthimin në fushë ka folur edhe gardiani shqiptar, Thomas Strakosha, i cili duket se e ka shijuar lirinë pas atij izolimi të vështirë. Portieri i Kombëtares kuqezi shton më tej se grupi është i karikuar për të filluar sërish, por gjithnjë pa rrezukuar askënd. Ndërkohë faktin se kanë rreth 4 vite që janë bashkë si ekip është një plus i madh sipas tij.
“Ishte bukur të kthehesh në Formello, të shihje barin e fushave dhe shokët e skuadrës, megjithëse nga një distancë. Nuk ka qenë e lehtë të qëndrosh në shtëpi javët e fundit, megjithëse për ne futbollistët sigurisht që ka qenë më pak e vështirë sesa për shumë njerëz të tjerë. I kalova ditët duke parë filma dhe stërvitje. Për fat të mirë e kam pasur familjen time afër, përndryshe do të kishte qenë shumë më e vështirë. Tani të gjitha këto i kemi lënë pas. Në Formello stërviteni shumë mirë, shumë më mirë këtu sesa në një park. Qendra jonë sportive ishte tashmë një nga më të mirat, tani është edhe më shumë.
Ne jemi të karikuar, duam të fillojmë përsëri, por pa e rrezikuar askënd. Duke luajtur pa tifozë, nëse kthehemi të luajmë, nuk do të jetë mirë, por është një moment i vështirë për të gjithë botën. Pushimi sigurisht që do të ketë pasoja, por duhet të kuptohet se është mbi të gjitha një pyetje mendore. Por kam besim sepse e di forcën tonë. Kemi qenë bashkë për katër vjet, jemi rritur shumë si nga ana teknike ashtu edhe nga ana mendore“, ka thënë Strakosha.
Më tej gardiani i Lazios i ka krahasuar shokët e skuadrës me personazhet e “Avengers“, teksa për veten ka zgjedhur “Spiderman“-in si atë që i përshtatet më tepër. “Radu është Hulk, Thor mund ta bëjë atë Acerbi, Kapiteni Amerika është Lulic, Iron Man i themi Luis Alberto sepse ai është i saktë në gjithçka, ndërsa Haëkeye është Marusic. Unë? Epo, unë jam Spiderman!“, shprehet portieri shqiptar, i cili tregon edhe për rritjen e tij këto vite te bardhekaltrit, ku një meritë të madhe ka edhe Tare me Inzaghin.
“Gjithçka që po ndodh nuk e prisja. Unë punoj shumë dhe gjithmonë përpiqem të vendos synime të reja. Tare dhe Inzaghi kanë qenë thelbësorë për mua. Menaxheri besoi te unë që në fillim dhe trajneri më dha mundësinë për të luajtur. Por përgatitësit Grigioni dhe Zappalà ishin gjithashtu të rëndësishëm”, ka përfunduar Strakosha./Halit Delibashi-Sport Ekspres/