Latifi rrit vlerën në treg, bën liderin në fushë

Me 3 golat që shënoi në këto 2 ndeshje, kosovari i ka bërë një reklamë më të mirë vetes në treg. Shitja e tij është e sigurt

Ashtu si në fundin e kampionatit që lamë pas, lideri i Skënderbeut në fushë është shfaqur sërish Liridon Latifi. Futbollisti kosovar, i cili pritet të konfirmohet si shitja me shtrenjtë e një lojtari të Superiores, shënoi 2 gola në ndeshjen e djeshme dhe 3 në total, duke llogaritur edhe atë të ndeshjes së parë në Korçë. Në 90 minutat e djeshme Latifi ishte i papërmbajtshëm në krahun e tij. Shumë herë ai depërtoi në zonën kundërshtare dhe mund të kishte shënuar më shumë, por kuptohet që emocionet bëjnë të vetën.

REKLAMA – Latifi ia arriti qëllimit të tij të dyfishtë në ndeshjet e turit të parë eliminator të Europa League. Përveçse arriti ta ndihmojë ekipin e tij të kualifikohet me golat e tij, njëkohësisht i rriti vetes vlerat në sytë e menaxherëve të skuadrave të huaja, që po e ndjekin prej kohësh “yllin” e Skënderbeut. Europa League ishte një “vitrinë” e mirë dhe kosovari e shfrytëzoi më së miri rastin. Në ekipin korçar do ta qajnë largimin e Liridonit, por në futbollin e sotëm kështu funksionojnë gjërat. Presidenti Ardjan Takaj dhe stafi i tij kanë “fërkuar” duart, teksa Latifi shënonte në portën kundërshtare. Ata, por edhe vetë lojtari, mezi po presin të konkretizojnë një marrëveshje, që është në të mirë të dyja palëve. Skënderbeu mbush arkën, kurse Latifi përfiton më shumë financiarisht dhe rritet profesionalisht. “Sport Ekspres” ka bërë me dijë pak kohë më parë se në “pole position” është Grasshopersi në Zvicër, por për Latifin janë të interesuara edhe skuadra të tjera të kampionateve prestigjiozë, siç janë ai belg, kroat, rus edhe turk. Me një paraqitje të mirë edhe në ndeshjet e turit tjetër me Kairatin, Latifi mund t’ia shtojë edhe më shumë vlerat vetes. Eshtë në formë të mirë dhe pritet të jete faktor në përballjet me kazakët. Nga këmbët e tij të gjithë presin shumë…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *