Latifi e zyrtarizon: Iki pas Europës, e kam gjetur ekipin

Mesfushori deklaron se ka mbyllur gjithçka me skuadrën e tij të re, por e mban sekret. Fillimisht ai do kualifikimin e Skënderbeut…

Leonard Trebicka

“Do të luaj me Skënderbeun në Europë deri në fund dhe dua të jem sa më gjatë të jetë e mundur, por dua të deklaroj që me skuadrën time të re gjithçka është mbyllur dhe tani pritet të mbyll aventurën time me Skënderbeun dhe pastaj të largohem. Mezi po pres që të kualifikoj së pari Skënderbeun në turin e tretë dhe pse jo edhe më larg…”, ka deklaruar ndër të tjera Latifi në një intervistë të dhënë për “Sport Ekspres” ditën e djeshme, duke zbuluar se e ardhmja e tij sezonin e ardhshëm nuk do të jetë te Skënderbeut. Skuadra e re, mister.

Latifi, ktheheni në Korçë pas atij rezultati pozitiv në Kazakistan. Çfarë mund të na thoni?
-Të them të drejtën, jemi shumë të kënaqur të gjithë si skuadër për atë që dhamë në fushën e lojës në ndeshjen e parë në Kazakistan dhe me meritë arritëm të merrnim edhe këtë barazim me gola. Është një rezultat pozitiv që na favorizon disi për takimin e kthimit.

Edhe ju keni zhvilluar një super ndeshje në Almati…
-Së pari dua të them se ishte grupi që funksioni shkëlqyer dhe merita e këtij rezultati nuk është as e imja dhe as e ndonjë individi, por meritë e padiskutueshme e grupit. Gjithsesi dua të them se kundërshtari na ndihmoi shumë për të marrë këtë rezultat. Them kështu pasi Kairat luajti hapur dhe ne shfrytëzuam të gjitha momentet tona. Me pak kujdes mund dhe duhet të kishim marrë më shumë se barazimi 1-1.

Arritët të barazonit këtë transfertë shumë të vështirë, madje duke qenë në disavantazh…
-Patëm një moment luhatje kur pësuam golin, por e rëndësishme ishte që reaguam të gjithë. Kjo ishte një gjë shumë pozitive, për vetë lojën që zhvilluam. Shënuam në pjesën e dytë dhe e mbyllëm këtë takim me këtë rezultat, që pakkush e priste, madje edhe vendasit se besonin që do të dilnin nga fusha me këtë rezultat.

-Sa shanse i jep Skënderbeut ky barazim 1-1 për të kaluar më tej?
– Barazimi me gola na favorizon ne si ekip, pasi takimin e kthimit e luajmë në shtëpinë tone. Ky rezultat na mundëson që në ndeshjen e dytë të ruajmë edhe një barazim 0-0 dhe na mjafton, por absolutisht që nuk do ta bëjmë një gjë të tillë, pasi e them me bindje që ne do të kërkojmë të shënojmë.

Me këtë doni të thoni që Skënderbeu do të jetë ekipi që do të kalojë më tej?
-Unë kam shumë besim, por jo vetëm. I gjithë ekipi beson shumë që do të jemi ne ata që do të kalojmë në turin e tretë të Europa League. Sigurisht që na duhet edhe mbështetja e tifozëve dhe unë kam shumë besim që do ta kemi, në mënyrë që së bashku të arrijmë të kalojmë edhe një tur tjetër dhe për të vazhduar padiskutim sa më gjatë.

Latifi largohet pas Kairatit, apo…
-Dua t’u them diçka. Është e sigurt që këtë verë largohem nga Skënderbeu dhe kjo tashmë është mbyllur, por që kur do të largohem nuk di ta them një gjë të tillë. Unë do të luaj me Skënderbeun në Europë deri në fund dhe dua të jem sa më gjatë të jetë e mundur, por me skuadrën time të re dua të deklaroj se gjithçka është mbyllur dhe tani pritet që unë të mbyll aventurën time me Skënderbeun dhe pastaj të largohem.

Me këtë doni të thoni që ju mezi prisni që të largoheni nga Skënderbeu?
-Shikoni. Unë mezi po pres që të kualifikoj së pari Skënderbeun në turin e tretë dhe pse jo edhe më tutje, sa më larg të jetë e mundur. Pasi të përfundoj aventurën europiane është 100% e sigurt që do të largohem. Dua ta mbyll me sa më shumë suksese me Skënderbeun, skuadrën që më bëri me kaq emër dhe që më dha kredite të mjaftueshme që të luaj në kampionate me emër në Europë.

Duke deklaruar që e keni mbyllur, a mund të na thoni se cila do të jetë skuadra juaj e re?
-Emër nuk mund ta them. Mjafton që ju thashë se gjithçka është e mbyllur dhe unë largohem sapo të përfundoj aventurën. Tani dua të mendoj për Skënderbeun për të kaluar edhe këtë tur, pse jo edhe tjetrin.

Luani të enjten e ardhshme në Korçë ndaj Kairatit. Si e shikoni mendoni?
-Harrova të shtoja edhe diçka që lojtarët e rinj që erdhën te Skënderbeu në merkaton e verës, po përshtaten shumë mirë me grupin dhe për mua ky grup funksionon si jo më mirë. Do të jemi të njëjtët edhe të enjten e 20 korrikut dhe ftoj tifozët që të na përkrahin, pasi do t’i nderojmë me paraqitjen tonë.

Keni ndonjë fjali të fundit për të thënë?
-Çdo ditë që po kaloj te Skënderbeu po e përjetoj me entuziazëm dhe me dëshirë që të jap maksimalen time deri në fund. Po mendoj që ta kalojmë Kairatin dhe t’i japim shqiptarëve edhe një kënaqësi tjetër të madhe, kënaqësi që ta jep vetëm Skënderbeu dhe asnjë skuadër tjetër.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *