Mesi dhe Ronaldo kanë qenë në një luftë të vazhdueshme përgjatë karrierës së tyre sa i përket lojtarit më të mirë në botë. Të dy lojtarët janë të një tjetër niveli dhe kanë ndarë tifozët në dy krahë, ata që mbështesin Mesin dhe ata që mbështesin Ronaldon. Për vite me radhë mes tyre ekzistonte një duel më vete në La Liga dhe largimi i yllit portugez u pa si një humbje e madhe për kampionatin spanjoll.
Por i këtij mendimi nuk është presidenti i La Liga-s, Javier Tebas. Në një intervistë për “RAC 1” ky i fundit shprehet se largimi i Ronaldos patë ndikim të pavlefshëm në La Liga, por në rast se e njëjta gjë ndodh me Mesin, atëherë situata ndryshon. Sipas Tebas argjentinasi është më i miri në botë dhe vetë personalisht do i lutej të mos largohej. Fjalë këto që me siguri nuk kanë për t’i pëlqyer aspak Ronaldos, e që vijnë si një thumbim për të.
“Largimi i Cristiano, edhe nëse bezdisen në Madrid, pati një ndikim pothuajse të pavlefshëm sepse në LaLiga ne jemi duke përgatitur për vite me radhë që marka LaLiga të tejkalojë lojtarët. Por çështja e Messit është e ndryshme. Messi është lojtari më i mirë në historinë e futbollit. Kemi pasur fat që e kemi pasur gjithmonë në Ligën tonë.
Mendoj se largimi i Messit do të ishte i dukshëm. Sigurisht, më shumë nëse do të shkonte të luante në një Ligë tjetër. Ai është një ikonë e futbollit spanjoll, të LaLigës dhe unë do t’i kërkoja atij: “Të lutem mbylle karrierën në kampionatin tonë. Sa dashuri i kemi dhënë. Nuk do të ishte katastrofë as sepse ne kemi nënshkruar kontrata televizive me ose pa Messi. Por gjëja e rëndësishme është vlera që ai jep. Messi na kënaq gjithmonë”, ka deklaruar kreu i La Liga-s./Halit Delibashi-Sport Ekspres/