Lacio bën dy goditje të rëndësishme, Interi po mbyll operacionin “Vrsaljko”

Seria A vazhdon të pasurohet me lëvizje të rëndësishme merkatoje dhe me miliona euro të shpenzuara, duke konfirmuar se këtë verë tendenca ka ndryshuar dhe vetëm Premier Liga është mbi kampionatin italian për sa u përket shpenzimeve.

Lacio po tregohet shumë aktive, sepse Igli Tare ka biseduar gjatë me trajnerin Simone Inzagi dhe ka marrë miratimin për dy goditje të rëndësishme.

Klubi roman ka fituar garën për mesfushorin kroat Milan Badelj, i cili kërkonte ekip, pas përfundimit të kontratës te Fiorentina, ku ishte lojtar kyç. 29-vjeçari kishte shumë oferta dhe shkëlqeu edhe në Kupën e Botës, ndërsa e ndiqte prej muajsh Milani, por kuqezinjtë kanë ndryshuar strategji dhe nuk duan lojtarë që nuk u rritet më vlera në treg, ndaj Lacio ka përfituar, duke gjetur pasuesin e Lukas Leivas, nëse veterani nuk do të preferohet në formacion sezonin e ardhshëm.

Ndërkaq, Lacio ka mbyllur bisedimet edhe për Hoakin Korrean, anësor ofensiv nga Argjentina, 24 vjeç. Futbollisti i Seviljes kalon te Lacio për 19 milionë euro, ndërkohë që 5 milionë euro të tjera Lacio do t’ia japë Sampdorias, që kishte një përqindje të kartonit. Korrea ishte titullar te Sevilja (31 ndeshje, 2 gola e 3 asiste sezonin e fundit) dhe tashmë bëhet pasardhësi i Felipe Andersonit te Lacio, detyrë shumë e vështirë.

INTER-VRSALJKO, SHUMË PRANË – Interi është gjithnjë e më pranë mbrojtësit kroat Shime Vrsaljko, i cili kërkon të vishet zikaltër. Atletiko kërkon 25 milionë euro, Interi kërkon huazim për 8 milionë euro dhe të drejtën për blerje përfundimtare për 17 milionë euro të tjera. 1.5 milionë euro në sezon për mbrojtësin titullar të Kroacisë nënkampione bote, javën e ardhshme mbyllet gjithçka, raportojnë mediat italiane.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *