Fitorja kundër Vllaznisë fundjavën e shkuar ishte ilaci perfekt për hallet e Laçit, që e mori veten shumë shpejt nga tronditja e dy humbjeve rresht dhe nga largimi i Stavri Nicës. Presidenti Pashk Laska zgjidhi gjithçka me shpejtësi, duke afruar vlonjatin Gentjan Mezani për stolin. Pak eksperiencë, por shumë dëshirë e ambicie, ndaj Mezani është profili i duhur për klubin kurbinas, që asnjëherë nuk ka preferuar trajnerë të njohur dhe shpesh ka promovuar emra të rinj .
Me qetësinë e renditjes dhe një loje bindëse, por edhe me vetëdijen se skuadra po rritet e po kombinohet gjithnjë e më mirë, situata është mjaft pozitive, aq më shumë që është gjetur edhe një sulmues i ri, Redon Xhixha, i cili premton shumë, edhe pse shpresat janë që të riaftësohet sa më shpejt edhe Rexhinaldo, pika e referimit për sulmin, në planet e klubit në merkaton verore. Është kthyer edhe Qaqi, tjetër lojtar shumë i rëndësishëm, ndaj transferua e mesjavës së 11 tetorit në Korçë shihet pa ndonjë shqetësim të madh, edhe pse Skënderbeu kryesues duket i pandalshëm.