Drejtori Sportiv i Tiranës Arbi Laçi ka folur për “RTSH Sport” pas mbledhjes në FSHF. Drejtuesi i skuadrës bardheblu ka theksuar se skuadra është gati për rikthimin në Superiore dhe se tani nuk e mendon më askush atë edicion. Sa i përket objektivave, Laçi thekson se skuadra do të arrijë aty ku drejtuesit pretendojnë pa bërë zhurmë dhe premtime.
“Kemi bërë gjithçka gati për rikthimin në Superiore. Rikthimi është entuziast. Ishte vit transitiv mund të them. Ne nuk e kujtojmë më atë sezon, vetëm ju gazetarët mund të na e kujtoni. Besojmë se gjerat do të jenë mirë këtë vit, pa zhurmë dhe pa premtime besojmë se do të shkojmë aty ku pretendojmë”.
Sa i përket merkatos, drejtori i Tiranës nuk zbulon planet e klubit, por beson se është bërë një punë e mirë dhe nuk përjashtohet mundësia për të kemi ndonjë surprizë deri në fund.
“Kemi bërë përforcime ku skuadra kishte nevojë. Kemi rinovuar me një pjesë të lojtarëve. Mund të them se kemi mbajtur më të mirët. Merkato përfundon në fund të këtij muaji dhe ne po shqyrtojmë mundësitë më të mira”.