Kurbinasit nuk janë stërvitur dje, ndërkohë që sot i rikthehen fushës së blertë. Mesfushori bardhezi ka kaluar dëmtimin
Vladimir Prenga
Laçi ia doli të fitonte të shtunën në transfertë ndaj Lushnjes, ndërkohë që bardhezinjtë kanë vijuar përgatitjet me ritëm mjaft të lartë, teksa në dy ditët e para të javës ngarkesa fizike e marrë nga futbollistët ka qenë mjaft e madhe, por sigurisht e programuar nga stafi teknik, që dje e ka lënë ekipin pushim. Ndeshja e radhës me Kamzën do të luhet ditën e hënë dhe koha për ta përgatitur këtë takim është më se e mjaftueshme për të qenë gati. Moralisht skuadra kurbinase është lart, por nuk ka kohë për festë, pasi përballja me ekipin e drejtuar nga Ramadan Ndreu ka marrë vlerësimin maksimal. Paraqitjet e tyre deri më tani në kampionat të imponon respekt, ndaj në Laç presin një ndeshje të vështirë. Sigurisht objektivi do të jetë marrja e tre pikëve, që do t’u jepte bardhezinjve qetësinë e duhur, pasi do mund ta çonin diferencën e pikëve me Kamzën në pesë.
BARDHI – Laçi nuk do të jetë i plotë as për ndeshjen e radhës, pasi mbrojtësi Ademir Souza është i dëmtuar dhe do të vijojë të mungojë. Ndërkohë ka një rikthim. Kejvi Bardhi, 21-vjeçari kurbinas, pasi mungoi në ndeshjet me Flamurtarin dhe Lushnjen është rikuperuar nga dëmtimi që pësoi në Korçë dhe gjatë kësaj jave është përgatitur me grupin. I riu ka luajtur titullar në të pesta ndeshjet e para të kampionatit dhe tashmë është i gatshëm për trajnerin Mezani, edhe pse i duhet të fitojë ritmin e shokëve të skuadrës, pasi një javë më parë ka punuar i diferencuar.
FUSHA – Në fund të shtatorit, konkretisht më 30 shtator, pas ndeshjes me Vllazninë, në fushën e stadiumit të Laçit është mbjellë bari dhe gjendja e fushës tashmë është më e mirë. Për shkak të mbjelljes së barit, kurbinasit luajtën para dhjetë ditësh në fushën asnjanëse të Kastriotit me Flamurtarin, ndërkohë që ende nuk është vendosur përfundimisht se ku do të luhet ndeshja me Kamzën. Aktualisht tapeti i Laçit ka marrë pamje tjetër dhe me shumë mundësi të hënën Laçi do të luajë në shtëpi, por pritet që kjo të konfirmohet zyrtarisht edhe nga drejtuesit e klubit.