Është mbyllur në barazim 0-0 përballja e sotme mes Kukësit dhe Laçit. Kurbinasit konfirmojnë edhe njëherë veten si “macja e zezë” e verilindorëve, teksa nuk janë mposhtur asnjëherë prej tyre në 4 sfidat e zhvilluara këtë sezon. Kukësi nuk i mund dot bardhezinjtë as me atmosferën fantastike të tifozëve, që kanë mbushur stadiumin në inagurimin e tij.
Tifozeria ka qenë tejet e zhurmshme këtë mbrëmje, duke mbështetur nga sekonda e parë në të fundit ekipin kuksian. Sigurisht që një atmosferë e tillë mungonte prej 4 vitesh për Kukësin dhe padyshim që i dha një motivim shtesë lojtarëve në fushën e lojës. Ekipi i Longos ka provuar disa herë të gjejë rrugën e rrjetës, por pa patur sukses. Skuadrat duhet të mjaftohen me nga një pikë nga ndeshja e sotme, duke ruajtur kështu pozicionet respektive në tabelën e renditjes në “Abissnet Superiore”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/