Laçi dhe Partizani janë dy ekipet shqiptare që do të marrin pjesë në Europa League së bashku me Luftëtarin. Ekipi i “demave” po zhvillon fazën përgatitore në Ohër, por ashtu siç ka ndodhur dhe me çdo ekip shqiptar që ka kryer përgatitjet atje, problem mbeten miqësoret. Kryeqytetasit ende nuk kanë zhvilluar asnjë miqësore.
Në skenë ka dalë ekipi i Laçit. Burime të “Sport Ekspres” bëjnë me dije se kurbinasit janë lidhur me drejtuesit e “demave” dhe u kanë ofruar atyre një miqësore. Asnjë problem për të kuqtë, pasi do të ishin laçianët që do të udhëtonin drejt qytetit shqiptar të Maqedonisë. Një përplasje mes dy ekipeve do të ishte shumë e mirë, por nuk ka menduar kështu trajneri Skënder Gega.
Ai u ka kërkuar drejtuesve të mos e luajnë miqësoren me Laçin, pasi i druhet opinionit të njerëzve për krijimin e aleancave. Në fakt, Gega ka njëfarë të drejte, pasi shqiptarët janë të parët që paragjykojnë, por në kushtet kur nuk kishte asnjë mundësi tjetër dhe Mariborin e ka shumë afër, kujt po i interesojnë fjalët?