Skuadra laçiane thirrje mbështetësve për t’i dhënë një dorë kundër Partizanit. Trajneri Mezani gjen Souzën, por mungon kapiteni Sefgjini
Skuadra e Laçit do të luajë kundër Partizanit ditën e enjte. Ekipi kurbinas do të ketë përballë kryeqytetasit pas ndryshimeve të mëdha të këtyre të fundit. Laçi është konsideruar gjithmonë si një ekip i vështirë në fushën e tij, e sidomos kur kanë mbështetjen absolute të tifozerisë së tyre. Duke ia ditur pikat e forta vetes, kurbinasit u kanë bërë thirrje tifozerisë së tyre të “dynden” në stadium, ditën e enjte dhe të mbështesin ekipin e tyre. Shkrimi është publikuar në faqen zyrtare të Laçit në rrjetin social të “Facebook”-ut
THIRRJA PËR TIFOZËT – Klubi kurbinas shpalos menjëherë që objektivi është fitorja dhe duhet ndihma e tifozëve për t’ia arritur. “Të enjten luajmë një ndeshje të rëndësishme. Partizani do të jetë mysafir në stadium tonë dhe objektivi ynë është fitorja. Për këtë ndihma e gjithsecilit tifoz është e rëndësishme, ndaj u ftojmë të gjithë të vini e ta mbështesni ekipin në këtë takim. Skuadra ka nevojë për brohoritjet tuaja dhe për ‘Para Laçi’. Mos mungoni, të gjithë në stadium për të synuar fitoren!”, – shkruajnë laçianet.
KONTIGJENTI – Laçi në takimin me Partizanin e ka grupin thuajse të plotë, pasi mungon vetëm kapiteni Taulant Sefgjini, i dënuar nga Komisioni i Disiplinës me pesë takime pas ndeshjes me Kamzën. Trajneri Gentian Mezani ka edhe shërbimet e Ademir Souzës për krahun e djathtë të mbrojtjes, ndërkohë që mbetet për t’u parë në dy seancat e fundit stërvitore se çfarë ndryshimesh do bëjë në formacion. Me rëndësi për të dhe stafin e tij është se alternativat nuk i mungojnë, ndaj po punohet me përqendrim maksimal për t’u kthyer te fitorja. Në dy ndeshjet e fundit Laçi ka marrë vetëm një pikë, pasi u mund në shtëpi nga Kamza dhe barazoi 1-1 ndaj Teutës në Durrës.