Laçi bën goditjen e radhës, firmos senegalezi Boiro

Kurbinasit kanë zyrtarizuar afrimin e mesfushorit 21-vjeçar, i cili në sezonin e fundit është aktivizuar në Spanjë

Quhet Amadu Boiro, është 21 vjeç dhe është përforcimi i fundit i Laçit. Mesfushori nga Senegali ka lënë Spanjën për të ardhur në Shqipëri, ku shpreson të bëjë karrierë. I rritur në Senegal, verën e shkuar Boiro shkoi në Spanjë, te Gimnastik Taragona, që e regjistroi fillimisht tek ekipi rezervë Pobla de Mafumet CF, por më pas e përdori një herë në kupë dhe një herë në Segunda Division.

Gjithsesi, në janar Boiro mbylli kontratën me Gimnastik, ndërsa tani vjen në Shqipëri, me synimin për të treguar sa vlen. Në këtë mënyrë, Laçi shton numrin e të huajve në skuadër dhe po kompletohet para sezonit të ri. Senegalezi zbriti për herë të parë në fushë ditën e diel në miqësoren me Tiranën, ndërkohë që ditën e djeshme ai ka nënshkruar me kurbinasit.

Trajneri Nica foli me nota pozitive për Boiro, që luan edhe si qendërmesfushor, ndërkohë që tanimë ishte radha e presidentit Laska për të lëvizur. Ditën e djeshme ai është ulur në tavolinë me futbollistin dhe pasi ka arritur marrëveshjen ka nënshkruar kontratën që e bën zyrtarisht pjesë të bardhezinjve, që kanë tashmë katër të huaj në ekip, ku së bashku me senegalezin nën urdhrat e trajnerit Nica janë edhe Rexhinaldo, Ademir dhe Eskerda. Mësohet se mesfushori ka firmosur kontratë dy vjeçare me kurbinasit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *