Është hedhur sot shorti për kalendarin e kampionatit spanjoll 2018/19, që do të nisë më 19 gusht.
Barcelona kampione në fuqi do ta nisë në shtëpi, kundër Deportivo Alavesit, ashtu si Reali, që do të luajë në Bernabeu derbin kundër Getafes. Ndërkaq, ndeshja e ditës do të jetë ajo mes Valencias e Atletikos së Madridit, dy skuadra që do të mundohen të bezdisin gjigantët e Spanjës.
Kampionati do të mbyllet më 19 maj 2019, me Barcelonën që do të vizitojë Eibarin dhe Real Madridin që do të presë Betisin.
El Clasico do të luhet më 23 tetor dhe 3 mars, me sfidën e parë që do të zhvillohet në Barcelonë. Do të jetë El Clasico i parë pa Ronaldon, që prej vitit 2009.
Ndërkaq, derbi i madh madrilen mes Realit e Atletikos do të zhvillohet më 30 shtator dhe 10 shkurt, me vajtjen në Bernabeu.