Ky është çuni im!

Babai i Sadikut dhe babi i Strakoshës duhet të jenë krenarë për djemtë e tyre

Armando Sadiku ka lindur në Elbasan, i ati ka qenë një punëtor i thjeshtë, një tifoz i madh futbolli që duke parë Maradonën vendosi që djalit të tij t’ia vinte emrin Armando, njësoj si ylli argjentinas. Sadiku ka pasur një jetë të vështirë, ka luajtur në Cërrik dh Ersekë dhe nëse nuk do ishte për një dënim 2-vjeçar ndoshta nuk do kishte shkuar kurrë në Zvicër. Sot ai është njeriu më i rëndësishëm i Kombëtares. Gol kualifikimi në 3-0 e Armenisë, gola në miqësore para Europianit, mrekullia kundër Rumanisë, rrjeta me Maqedoninë dhe mbrëmja magjike e Izraelit. Njerëzit ndoshta nuk e vendosin se ku lindin, por modelet janë këtu për të na treguar se me punë dhe mbi të gjitha pasion mund ta vendosësh se ku do shënosh golin e karrierës! Më i miri në Izrael.

Thoma Strakosha ka lindur në Athinë, i ati ka qenë kapiteni i Kombëtares, një ndër lojtarët shqiptarët më të mirë të gjithë kohërave. Në Itali e thërrasin Tomi, ndërsa në Tiranë deri para një viti ishte ende “çuni” i Fotit. Tomas ka pasur një jetë tërë mundësi. E shkuara e të atit ia ka hapur shumë dyer në adoleshencë. Nëse nuk do ishte për mbiemrin, ndoshta nuk do ishte ky që është sot. Sot ai është një ndër njerëzit më të rëndësishëm të Kombëtares por ekskluzivisht tanimë për meritë të tij. i aftë, i talentuar dhe inteligjent, doli shumë shpejt nga hija e të atit, aq sa nuk ka më asnjë dyshim. 22 vjeç te Lacio, personazh në Kombëtare, për punë vitesh do jetë Foti babai i tij dhe jo anasjelltas. Njerëzit ndoshta nuk e vendosin se ku lindin, por modelet janë këtu për të na treguar se çdo mundësi që të jepet në jetë duhet ta shfrytëzosh, me disiplinë, punë dhe shumë modesti. Një ndër më të mirët në Izrael.

Te Strakosha dhe Sadiku mund të gjesh filozofinë e jetës. Në rrugicat e varfra të provincës shqiptare apo qoftë edhe në ambientet luksoze të një vile në Athinë, me koincidenca, shanse apo tratativa, me gola dhe pritje, me hije të së shkuarës dhe pa asnjë frikë për të ardhmen. Shqipëria e sotme është kombinimi i të dyve. Në Izrael fituam dhe prej tyre. Mbi të gjitha prej tyre. Babai i Sadikut dhe babi i Strakoshës duhet të jenë krenarë për djemtë e tyre

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *