Egbo ka kurorëzuar me titullin kampion pas 11 vitesh Tiranën. Një sezon fantastik që përmbyllet në mënyrën më të bukur për bardheblutë, ku merita më e madhe i shkon trajnerit nigerian. Por pavarësisht suksesit nuk kanë munguar kritikat për të, duke e quajtur edhe me nofkën “trajner portierësh”. I ftuar në emisionin “Sport News Plus” në “News 24”, Egbo ka folur gjerësisht për eksperiencën e tij te Tirana dhe për çelësin që e udhëhoqi drejt titullit kampion, duke dëshmuar aftësitë e tij në pankinë.
“Kush do mund të vijnë t’i jap kurs për të stërvitur lojtarë. Licencën UEFA Pro e kam marrë në vitin 2013-2014. Kam stërvitur Bylisin. Kam qenë brenda. Kam mësuar nga të gjithë trajnerët që kanë qenë te Tirana. Nuk mund të vijë një trajner të thotë jam me më shumë eksperiencë se ty. Ky është një nga sekretet e fitimit të titullit, menaxhimi. Ia arritëm të menaxhonim lojtarët mjaft mirë.
Kam dëgjuar disa analistë, që kanë tentuar të marrin merita që nuk i takojnë. Çdo sezon Tirana ka bërë ekip për të fituar. Para se të vinte Mema më kanë ofruar ekipin por nuk e kam pranuar, sepse nuk ka qenë koha e duhur. Unë kam qenë një nga ata që kam thënë të vijë Ard Mema dhe tentuam të bashkëpunonim bashkë. E filluam mirë sezonin, duke sjellë të gjithë lojtarët. Kemi bërë një miks. Ardi ka meritë deri në momentin që ka ikur. Ka bërë ekipin për të dalë kampion. Çdo sezon Tirana bënte ekip për të dalë kampion.
Nuk dua trajner portieri, nuk është se kam frikë. Stafi duhet të ketë besimin. Nëse sjell dikë që nuk ka besim, nuk vlen. Ilion Lika është portieri më i mirë në kampionatin shqiptar. Kam një staf të vogël, por të shkëlqyeshëm. Kjo më ndihmon të merrem edhe me portierët, Lika është një trajner-portierësh.
Çelësi i suksesit në këtë klub është menaxhimi i gjithë personalitetit, i gjithë karakteri, i gjithë mentaliteti që ka brenda skuadra. Të njëjtët lojtarë kanë qenë në fillim të sezonit, të njëjtët lojtarë kanë qenë kur ekipi ka qenë në vendin e 8-të. Në atë vendin e 8-të kam marrë ekipin dhe ata lojtarë kanë qenë kur fituam titullin kampion. Por asnjë nuk pyet pse ka dalë Tirana kampion. Janë shumë faktor që janë me lista, po të nis tani nuk mbaroj dot.
Kemi fituar lojtarë si Torasa dhe Kale, që janë superlojtarë. Në ndeshjen me Partizanin që e fituam 2-1, Elton Kale dhe Agustin Torasa ishin gati të merrnin letrat për të ikur nga klubi, sepse ishin shkatërruar psikologjikisht dhe mendërisht nuk e kishin mendjen në atë klub. Kemi fituar Hoxhallarin, Gentian Muçën dhe shumë lojtarë të tjerë që nuk kanë pasur hapësirat për të luajtur. Kemi futir shumë futbollistë në vendin e tij natyral. I kemi dhënë besim edhe një futbollisti që bën gabim. Kemi arritur që ka bërë një lojtar gabim në 1-2 ndeshje dhe kemi vazhduar e kemi futur atë lojtar, sepse ka marrë besimin nga stafi dhe shokët e skuadrës dhe ka luajtur shkëlqyeshëm ndeshjen tjetër. Ky është një tjetër çelës i suksesit. Është menaxhimi i mirë”, ka thënë Egbo./Halit Delibashi-Sport Ekspres/