Kur ligjin e bëjnë futbollistët VIP: Sllovenia pushon trajnerin pa mbushur vitin!

Sllovenia ka pushuar nga puna trajnerin Tomazh Kavçiç, i cili paguan ecurinë dëshpëruese në Nations League, ku Sllovenia është e fundit në grupin e saj dhe barazimi kundër Qipros ka qenë goditja fatale për një trajner që ishte në fije të perit prej kohësh.

Kavçiç e mori drejtimin e Sllovenisë në dhjetor 2017 dhe në 7 ndeshje ka humbur 5 herë e fituar vetëm 1 miqësore. Për këtë arsye, presidenti i Federatës sllovene Radenko Mijatoviç ka vendosur ta largojë që tani trajnerin, edhe pse mbeten dy ndeshje në Nations League dhe do të jetë e vështirë të gjendet dikush që do t’i marrë përsipër.

Ndërkaq, në Slloveni flitet se trajneri nuk është larguar vetëm për rezultatet zhgënjyese, por mbi të gjitha për marrëdhëniet e këqija me portierin e Atletikos së Madridit Jan Oblak, i cili dëshironte të ishte kapiten.

Ky i fundit nuk shkoi fare në kombëtare për ndeshjet e këtij muaji, duke i marrë leje direkt presidentit, pa folur me trajnerin.

Vetë Kavçiç tha ditët e fundit: “Oblak nuk më flet dhe kjo është e trishtueshme. Është humbja ime personale. Ka thënë gënjeshtra nga Madridi, por nuk ka folur kurrë me mua. Edhe lejen për të mos ardhur në kombëtare e ka marrë nga presidenti. Megjithatë, ai i duhet Sllovenisë”.

Fjalë të rënda, që duket se kanë nxitur shkarkimin e tij, pasi pesha e Oblak në kombëtare është më e madhe se e trajnerit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *