Erzeni arriti të bënte surprizën në ditën e sotme duke mundur me shifrat 0-1 Tiranën. Kjo skuadër ka arritur që të lërë pas fillimin e vështirë dhe duket se po kthehet në rrugën e duhur për të lënë gjurmë në këtë sezon të Superiores. Në një intervistë për emisionin “Sport Focus”, me gazetarin Drilon Xhepollari, ishte edhe lojtari i Erzenit, Osmanllari, i cili u shpreh se Erzeni mund të arrijë në “Final 4”.
“Në fillim kishim ato vështirësit tona, por tani jemi konsoliduar si grup. Nuk ka shumë sekrete apo ndryshime në krahasim më vjet, vetëm se këtë herë jemi shumë më të mirë dhe cilësorë në aspektin sulmues, i shfrytëzojmë mundësitë që krijojmë.
Nëse vjet na nënvlerësonin shumë, tani kanë filluar që të na marrin më shumë seriozisht në Superiore. Objektivi ynë? Unë e kam thënë, ekipet janë aty-aty, nëse duan të tjerët, përse të mos e provojmë edhe ne që të shkojmë në Four 4? Tiranës ia kemi bllokuar pikët kyçe në këtë ndeshje”, u shpreh Osmanllari.
Nga krahu tjetër, Agim Zeka që ka shtuar cilësitë në sulm, theksoi frymën e grupit. “Fryma e grupit është shumë e mirë te Erzeni, ndikon shumë te ne. Jemi lidhur shumë shpejt si grup. E kemi merituar këtë fitore kundër Tiranës”, u shpreh Zeka. Gjithashtu edhe drejtori i Erzenit, Xhafa komentoi këtë fitore të arritur me Tiranën.
“Është një rastësi, vjet kemi fituar 1-0 në ndeshjen e parë me Tiranën dhe goli u shënua në të njëjtën minutë, ashtu si edhe sot. Ne jemi me këmbë në tokë, do t’i marrim gjërat qetë dhe duam që të kemi më shumë paraqitje dinjitoze sesa vjet. Dalëngadalë do të fillojmë që të mendojmë edhe për merkaton e janarit”, tha Xhafa. /Sport Ekspres/