Shefki Kuqi ka qenë i ftuar në emisionin “Sporti Total” në “Kohavision, ku u rikthye të flasë në lidhje me zgjedhjen që ai bëri vite më parë për të luajtur me kombëtaren finlandeze.
42-vjeçari pranoi para gazetarit se i kishin kërkuar para për të qenë pjesë e kombëtares shqiptare dhe kjo gjë solli që ai më pas të përfaqësonte Finlandën në arenën ndërkombëtare.
PROBLEMI ME SHQIPËRINË – “Që në fillim unë kam pasur dëshirë dhe kam tentuar të luaj për Shqipërinë. Por ata kërkonin para dhe gjëra të tjera. Ashtu ishte atëherë si për pasaportën, si për të luajtur në kombëtare. Nuk më interesonin këtë gjëra dhe mu dha shansi për Finlandën, ku pata një karrierë të bukur e të gjatë”.
ZGJEDHJA E LOJTARËVE ME DY KOMBËSI – “Tani ka ndryshuar mentaliteti. Një fëmijë që është rritur në një shtet tjetër, nuk e di se sa e ka lidhjen me Kosovën. Këtu tifozët e duan futbollin me zemër. Tani çdo përfaqësuese ka lojtarë të shteteve të tjera”.
PËRVOJA NË ANGLI – “Futbolli anglez është shumë i vështirë për çdo lojtar. Nëse nuk je i aftë në aspektin fizik dhe psikologjik, atje nuk e ke të gjatë, por njeriu që punon e ka vullnet mund të arrijë çdo gjë”.
“Shefilld Uensdej ka qenë një ndër klubet më të mëdha në Angli. Unë u ndodha në kohën e gabuar, por në vendin e duhur. Në ato momente financat kanë qenë shumë më të dobëta, ndërsa te Ipsuiç ishte një mrekulli. Aty karriera ime kapi kulmin, më pas isha pjesë e Bllekbërn në Premier League”.