Janë luajtur këtë fundjavë ndeshjet e para të Kupës së Shqipërisë në Futsall, kompeticionin që organizohet nga Federata Shqiptare e Futbollit e që tashmë është në edicionin e katërt.

Në këtë fazë u vunë përballë njëra-tjetrës tetë skuadrat pjesëmarrëse edhe në kampionatin kombëtar me ndeshjet që u luajtën në kompleksin Goga dhe përcaktuan ekipet që kalojnë në turin gjysmëfinal.

Protagonistët e dy prej ekipeve pjesëmarrëse në këtë kompeticion para nisjes së ndeshjeve dhanë edhe impresionet e tyre për këtë organizim, teksa vlerësuan organizimin e Federatës Shqiptare të Futbollit dhe u uruan suksese të gjithë ekipeve të futsallit.

Futbollisti i Vllaznia Futsall, Senad Lekaj, duke folur për mikrofonin e Fshf.org do të shprehej: “Sa i përket ndeshjes së Kupës ndaj Flamurtarit, në fakt ne jemi dy ekipet që kryesojmë renditjen e kampionatit kombëtar. Kupa e Shqipërisë që ka organizuar FSHF është diçka shumë e bukur, jemi tetë ekipe si kurrë më parë në të kaluarën në të dyja kompeticionet. Uroj që të bëjmë paraqitje sa më të bukura dhe rivaliteti do të jetë i lartë. Një falënderim për FSHF-në që ka bërë një organizim super si në kampionat ashtu edhe në kupë. Kushtet janë vërtetë shumë të mira për të luajtur futsall, uroj një sezon sa më të mirë për të gjithë”, – tha Lekaj.

Edhe trajneri i Flamurtarit Futsal, Mario Kalus, pasi falënderoi punën e bërë nga FSHF, u bëri thirrje të gjithë pjesëmarrësve që të dhurojnë sa më shumë fair-play dhe respekt për njëri-tjetrin në fushë.

“Ky vit në ndryshim nga kampionatet e tjera ka më shumë pjesëmarrje sa i përket ekipeve, por risi për këtë vit është organizimi i Kupës së Shqipërisë me pjesëmarrjen e tetë ekipeve dhe ndeshjet luhen në kushte shumë të mira infrastrukturore. Ne luajmë ndaj Vllaznisë, që është një pjesëmarrëse e rregullt e kompeticioneve të futsallit. Është një ndeshje mjaft e bukur, edhe në Shkodër kur luajtëm për kampionat dhuruam një paraqitje mjaft të mirë. Besoj se do të jetë një ndeshje mjaft e luftuar, por ajo që dua të them është se dua t’i uroj të gjitha ekipeve pjesëmarrëse suksese dhe fair-play nga të gjithë pjesëmarrësit, sepse sporti nuk është thjesht një garë, por është pasion, mirënjohje ndaj njëri-tjetrit dhe respekt”, – tha Kalus.

Sfida e parë Flamurtari – Vllaznia ka qenë mjaft e ekuilibruar dhe u mbyll me fitoren e ngushtë 6-4 në favor të ekipit shkodran, teksa edhe ndeshja e tjetër midis Diamant dhe Eagles Land që nisi në të njëjtën orë ka qenë mjaft e luftuar. Në fund triumfoi Diamant Futsal me shifrat 8-7.

Tirana ia doli të kalojë turin pasi mundi me rezultatin 3-0 Olimpik 1 Majin së bashku edhe me Forcat e Armatosura që mposhtën Olimpik Tirana pas një sfide plot me gola që u fiksua me rezultatin përfundimtar 11-10.

Sakaq, janë përcaktuar tashmë edhe çiftet gjysmëfinaliste që janë Diamant-Forcat e Armatosura dhe Vllaznia-Tirana. Sipas kalendarit të konfirmuar nga Drejtoria e Futbollit Amator në FSHF dy duelet do të luhen më datën 26 janar 2023 në ora 18:00 dhe 20:00.

Ashtu si edhe kampionati kombëtar i futsallit, ndeshjet e Kupës së Shqipërisë kanë tërhequr interesin e tifozëve, duke fituar popullaritet të konsiderueshëm, falë edhe paraqitjeve të bukura në fushë nga të gjithë skuadrat pjesëmarrëse.

Më poshtë, rezultatet e Kupës së Shqipërisë në Futsall dhe kalendari i fazës gjysmëfinale:

 

Kupa e Shqipërisë Futsal

Ndeshjet çerekfinale

Flamurtari – Vllaznia                                       4-6

Diamant – Eagles Land                                    8-7

Tirana – Olimpik 1 Maji                                   3-0

Forcat e Armatosura – Olimpik Tirana       11-10

Gjysmëfinalet

Datë 26.01.2023

Diamant – FA                     Ora 18:00

Vllaznia – Tirana                Ora 20:00