Kupa e Shqipërisë në Futsall ka mbërritur në stacionin e fundit me përcaktimin e finales së këtij sezoni, që ka shënuar një ndryshim të rëndësishëm krahasuar me vitet e kaluar me rritjen e skuadrave pjesëmarrëse.
Mbrëmjen e të enjtes janë luajtur ndeshjet gjysmëfinale të kupës në futsall me të dyja sfidat që u zhvilluan në sallën e kompleksit Goga në Durrës.
Dueli i parë ka qenë ai mes Diamant Futsal dhe Forcave të Armatosura, një ndeshje mjaft e fortë që ka përfunduar me rezultatin e ngushtë 6-4 në favor të Diamantit, që ka siguruar kalimin në finalen e madhe.
Edhe dueli tjetër gjysmëfinal, ai mes Vllaznisë dhe Tiranës, ka qenë mjaft emocionues, duke dhuruar edhe më shumë gola dhe spektakël. Rezultati përfundimtar është fiksuar në shifrat 11-8 në favor të Tiranës, që do të përballet kështu me Diamantin në finalen e Kupës së Shqipërisë.
Finalja do të luhet ditën e diel, datë 29 janar në sallën e kompleksit Goga, duke nisur nga ora 20:30.
Njësoj si edhe Kampionati Kombëtar i Futsallit, edhe ndeshjet e Kupës së Shqipërisë po tërheqin interesin e tifozëve me popullaritetin e konsiderueshëm, që vjen në rritje falë edhe paraqitjeve të bukura në fushë nga të gjithë skuadrat pjesëmarrëse.
Me këtë ritëm pritet që sezonin e ardhshëm të ketë edhe më shumë skuadra pjesëmarrëse në kompeticionet që organizon FSHF në futsall.
Cerekfinale
Flamurtari – Vllaznia 4-6
Diamant – Eagles Land 8-7
Tirana – Olimpik 1 Maji 3-0
Forcat e Armatosura – Olimpik Tirana 11-10
Gjysmëfinalet
Datë 26.01.2023
Diamant – FA 6-4
Vllaznia – Tirana 8-11
Finalja
Diamant – Tirana