Skënderbeu pati fatin të kishte Kamzën rival në fazën çerekfinale dhe bëri tutje pas përjashtimit të skuadrës periferike të kryeqytetit. Sot luhen ndeshjet e kthimit dhe pritet të mësohen skuadrat që do të vijojnë rrugëtimin në Kupën e Shqipërisë.
Tirana është ekipi i vetëm me një këmbë në gjysmëfinale, pasi e ka fituar ndeshjen e parë me Laçin me shifrat 3-0. Përmbysja duket një mision i pamundur. Pra, duhet një mrekulli sot. Sigurisht kurbinasit do ta provojnë. 45 minutat e para do të jenë shumë të rëndësishme, më pas mund të mendohet edhe për kampionatin. Kjo sfidë luhet prej orës 14:00.
Njëkohësisht përballen edhe Luftëtari e Partizani. Favoritë janë gjirokastritët, që triumfuan në sfidën e parë më rezultatin 1-2. Dy golat e shënuar në fushën e të kuqve janë një plus i madh për kalimin në gjysmëfinale. Nga ana tjetër trajneri Skënder Gega ka mungesa të rëndësishme në skuadër.
Gjysmëfinalistja e fundit mësohet pas ndeshjes Kukësi-Teuta, që zhvillohet në “Elbasan Arena” prej orës 17:00. Barazimi 2-2 në Durrës i shkon për shtat skuadrës së drejtuar nga Ramadan Ndreu, që edhe me një barazim pa gola apo 1-1 kalon në gjysmëfinale. Durrsakët besojnë se mund të fitojnë dhe dëshira është e madhe t’i shkojnë deri në fund Kupës së Shqipërisë.
KUPA E SHQIPËRISË – Faza çerekfinale
E mërkurë, më 3 prill 2019
Ora 14:00 | Laçi-Tirana (0-3)
Ora 14:00 | Luftëtari-Partizani (2-1)
Ora 17:00 | Kukësi-Teuta (2-2)