Ping – pongu ndërmjet presidencës së Kukësit dhe Bashkisë ka bërë që stadiumi “Zeqir Ymeri” të rrezikojë licencimi. Tapeti i këtij stadiumi është degraduar, pasi ka 8 vite që është vendosur dhe është konsumuar së tepërmi. Ekipi i parë ka zhvilluar të gjitha ndeshjet zyrtare aty, gjithashtu edhe stërvitjet kur është grumbulluar në qytetin e tyre. Në këtë stadium ka zhvilluar ndeshjet zyrtare edhe ekipi B, por më shumë e kanë përdorur ekipet e moshave që përgatiten aty gjatë javës, por edhe zhvillojnë ndeshjet miqësore.
Ky vit i gjen me “duart lart” kampionët e Shqipërisë, pasi rrezikojnë licencimin e fushës së tyre. Specialët e dërguar për të parë fushën e stadiumit “Zeqir Ymeri” kanë dhënë alarmin, pasi fusha nuk mund të riparohet. Megjithatë, në ambientet e stadiumit kanë nisur disa punime të vogla që do të ndryshojnë për mirë kushtet. Rikonstruksioni i pjesshëm mund të konisderohet i pavlerë, pasi çështja e tapetit duhet të jetë një shqetësim dhe për veteë drejtuesit e Kukësit, pasi rrezikohet jo pak që dëmtimet të jenë të shpeshta.
ALARMI – Tapeti i stadiumit “Zeqir Ymeri” është degraduar dhe është e rrezikshme që të luhet në të. Specialistët e fushës kanë vëzhguar tapetin dhe kanë dhënë sinjale negative, pasi fusha është krejtësisht jashtëfunksioni. Madje edhe më shqetësues është fakti që duke qenë tapet artificial, nuk pranohen më ndërhyrjet me gomë. Duke qenë se në vitet e mëparshme është hedhur sasi e madhe gome, këtë vit tapeti nuk e pranon diçka të tillë, pasi edhe fijet e barit artificial janë shkurtuar aq shumë saqë nuk mund të pranojnë më as gominën. Kjo është e rrezikshme për lojtarët, pasi rrisin mundësinë e dëmtimeve nga përplasjet, por edhe probleme muskulore.
RIPARIMET – Klubi i Kukësit ka nisur ndërhyrjen në “Zeqir Ymeri”. Drejtuesit e klubit edhe pse nuk do të riparojnë fushën duke rrezikuar jo pak licencimin, por kanë nisur ndërhyrjen në pastrimin e barishteve në stadium, zëvendësimin e xhamave të thyer, por edhe pjesë të stolave në shkallët e stadiumit.
Këto do të jenë disa nga ndërhyrjet në Kukës, mbase të pavlera, por të paktën gjërat kanë filluar të lëvizin për mirë. Dilema e madhe është nëse FSHF-ja do të licencojë, apo jo stadiumin “Zeqir Ymeri”, në rast se kampionët nuk do të luajnë në “Zeqir Ymeir” do të duhet të emigrojnë në një tjetër fushë. Stadiumi “Elbasan Arena” është zgjidhja më e pranueshme.