Kampionët ishin dukshëm të zhgënjyer në përfundim të ndeshjes me Tiranën dhe veç trajnerit Milinkoviç që e kishte detyrim që të paraqitej para medieve asnjë prej lojtarëve nuk foli. Jo vetëm kaq, por lojtarët u larguan menjëherë pasi u ndërruan në dhomat e zhveshjes, duke mos qëndruar gjatë ceremonisë së dhënies së trofeut për skuadrën e Tiranës. Një sjellje që në dukje mund të merret si mos respekt ndaj kundërshtarit, por për diçka të tillë klubi i Kukësit ka dalë në një njoftim në sajtin zyrtar, ku shefi i klubit Jonuz Hallaçi ka deklaruar se ky veprim erdhi pas konsultës me zyrtarët e FSHF-së, që u kishin komunikuar se nuk do të kishte medalje për ta dhe ishin të lirë të largoheshin.
“Skuadra e Kukësit sqaron opinionin publik në lidhje me lajmet e pavërteta për “braktisjen” e menjëhershëm të fushës dhe stadiumit “Selman Stërmasit”. Ekipi verilindor ka qëndruar në bankinë pas mbarimit të ndeshjes për të pritur ceremoninë zyrtare të Federatës Shqiptare të Futbollit, më pas shefi i klubit, Jonuz Hallaçi, ka pasur komunikim me zyrtarët e FSHF-së që e kanë informuar se nuk do të ketë medalje për skuadrën verilindore dhe se mund të largoheshin, ekipi i është drejtuar dhomave të zhveshjes. Lojtarët dhe stafi u kanë shprehur përgëzimet e rastit lojtarëve dhe stafit të Tiranës: ’E kishim vlerësuar maksimalisht ndeshjen, pavarësisht se nuk shkoi ashtu siç e donim ne. Kam lexuar lajme të pavërteta në lidhje me një ‘braktisje’ të stadiumit nga skuadra e Kukësit duke mos respektuar ekipin e Tiranës, nuk është e vërtetë. Lojtarët, por edhe stafi i kanë uruar lojtarët dhe stafin bardheblu, pastaj kemi qëndruar në bankinë për të pritur ceremoninë. Fola me përfaqësuesit e FSHF-së dhe më thanë se nuk ka medalje për vendin e dytë dhe se mund të largoheshim. Ne ashtu bëmë’, -përfundon Hallaçi për sajtin e klubit.