Kukësi shkëlqeu me lojë dhe rezultat, trajneri është shembullor edhe në intervistë: Do të mësoj edhe unë, jemi ende larg të tjerëve

Kukësi i Diego Longo e ka nisur me fitore këtë sezon në Superiore. Verilindorët fituan në shifrat 1-3 ndaj Egnatias në transfertë. Por më shumë sesa vetë rezultati, ekipi shkëlqeu me mënyrën e lojës dhe pasimet e shumta për të mbërritur te goli me një logjikë të caktuar e jo duke u bazuar te rastësia. Në intervistën e dhënë për “Fair Play nga Enkeleida Zeko”, trajneri Longo ishte shembullor edhe për vetë mënyrën sesi foli. Tekniku u shpreh se jo vetëm që do të mësojë futbollistët, por ka edhe vetë për të mësuar nga kjo eksperiencë pasi është hera e parë që drejton një skuadër si kryesor. Ndërkohë nuk ngurron për t’ia bërë të qartë lojtarëve se kanë ende për t’u përmirësuar që të arrijnë skuadrat që kërkojnë titullin.

“Jam shumë i lumtur jo vetëm për rezultatin, por edhe për punën e madhe që kemi bërë gjatë gjithë kësaj periudhe. Futbollistët janë shpërblyer dhe për këtë jam shumë i lumtur. Superiorja ka pak ditë që ka nisur, rruga është e gjatë. Është e rëndësishme që ne të japim më të mirën në çdo ndeshje. Nuk jemi në nivelin e ekipeve më të mira të ligës dhe duhet të punojmë më shumë se të tjerët për të shkuar në krye. Por duhet të përmirësohemi shumë, të punojmë shumë. Por nuk mjafton për t’u ndeshur me ekipe si Vllaznia, Partizani dhe të tjerë që kishin shumë më tepër pikë sesa ne vjet. Është shumë e vështirë që nga vendi i gjashtë të shkosh në krye. Do të tregohesha arrogant nëse do të mendoja se do të shkonim në krye me pak ndeshje.

Ne po punojmë shumë, ju betohem për këtë, por nuk jemi në nivelin e ekipeve më të mira. Po punojmë për të arritur deri atje. Jam i lumtur që ndodhem këtu, më pëlqejnë lojtarët e mi dhe është kënaqësi që i stërvis çdo ditë. Klubi po përpiqet që të përmirësohet dhe me rezultatet tona ta përmirësojmë më tepër, si duhet të përmirësohem duke nisur nga vetja. Në jetë të gjithë kemi kufizimet tona dhe t’i tejkalojmë. Duhet ti japim një dhuratë tifozëve tanë në të ardhmen. Ne do të luajmë kundër të gjithëve, nuk ka rëndësi se ku, mjafton një fushë futbolli dhe ne do të japim më të mirën. Nuk erdha këtu me idenë vetëm për t’i mësuar të tjerëve, por edhe për të mësuar nga të tjerët. Kam shumë përvojë që kam akumuluar në gjithë këto vite dhe dua të jap kontributin tim”, tha Longo.

Në studio ndodhej edhe trajneri Ergys Luga që e ka pyetur Longon duke konsistuar një fakt: “Preferoni ushtrimet me top dhe nuk preferoni ato në të thatë. Sa e njeh kampionatin shqiptar dhe sa fryte do të jap kjo mënyrë loje ndryshe në Superiore?”.

“Unë mora informacion dhe kuptova sesi kanë punuar lojtarët në të kaluarën. I respektoj të gjithë stilet e lojës të trajnerëve të tjerë, por unë kam stilin tim të lojës dhe u përshtatem aftësive të futbollistëve. Kemi lojtarë që kanë mundësi për të kontrolluar topin. Në stërvitje për këtë duhet të përgatitemi. Nëse jep maksimumin në stërvitje, atëherë do të bësh më të mirën edhe në ndeshje. Seancat tona stërvitore zhvillohen në 99% të rasteve me top. Kjo është mënyra më e mirë e mundshme”, u shpreh Longo. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online