Vladimir Prenga
Ndershmërinë mos ia prekni Safet Gjicit! E ka thënë me të madhe që kur është përfshirë në botën e futbollit dhe në Europë ka bërë atë që deri më sot asnjë klub se ka arritur, duke kaluar tre ture. Gjithsesi, këtë verë nuk është ndjerë mirë kur Kukësi i tij ka përfunduar si i dyshuar për trukime. Federbeti lëshoi alarmin dhe pati një “luftë” në distancë. Dinjiteti iu prek presidentit Gjici, që nuk do ta lërë me kaq këtë çështje: “Shihemi në gjyq! Do kërkoj 30 milionë euro dëmshpërblim. Na është prishur imazhi”.
Gjërat evoluuan, pasi u fut në lojë edhe Sportradari. Policia austriake u vu në lëvizje dhe disa prej futbollistëve ende nuk i kanë marrë telefonat e tyre mbrapsht. Kundërshtuan edhe t’i dorëzonin, por ishin të detyruar. Të gjithë këto e trazuan Kukësin, por më pas pati edhe një tjetër ngjarje në Moldavi. Këtë herë ndërrojnë pozicionet, pasi është Kukësi “Federbeti”. Një penallti e shkaktuar nga Serran ndaj Sherifit të Tiraspolit la shumë për të dyshuar dhe presidentin Gjici diçka e “ngacmonte” përbrenda.
“Nuk ka mundësi të shkaktohet një penallti e tillë. As në volejboll nuk ngrihet dora aq lart”. Në fakt, kur e sheh habitesh, por në futboll ndodh gjithçka. Te Kukësi lindën dyshime të mëdha dhe spanjolli Serran përfundoi në bankën e të akuzuarit. Iu mor kompjuteri, kontroll bisedave të tij private. Kurrë nuk e kishte provuar diçka të tillë dhe mendoi menjëherë largimin, me apo pa dëshirë. Diçka krejtësisht normale, ndodhej në vend të huaj, në një ambient që nuk e njihte dhe nuk e kishte provuar kurrë më parë të ishte në një pozitë të tillë.
Serran ka një karrierë të pasur dhe një njollë tani që është drejt fundit nuk do e donte kurrë. Duroi, festoi ditëlindjen, por raporti mes tij dhe drejtuesve nuk mund të ishte më kurrë normal. Largimi i tij ishte çështje kohe dhe erdhi dje, ashtu si ai nuk do kishte dashur kurrë. Brenda një muaji ndodhën shumë gjëra, nga ato që spanjolli as nuk i konceptonte dot. Serran do kërkojë ta kujtojë gjithë këtë histori si një ëndërr të keqe. Presidenti Gjici duhet ta kuptojë mirë spanjollin, sapo e kaloi një situatë të tillë dhe po hetohet pas dyshimeve për trukime ndeshjesh, edhe pse në ndërgjegjen e tij ndihet i pastër. Po ashtu ndihet edhe Serran, por nuk kërkon 30 milionë euro, vetëm qetësi…