Një skuadër e Superligës kazake ka shfaqur interes për sulmuesin e kampionëve, por duhet parë sa do të kërkojnë drejtuesit veriorë për ta lënë të lirë
Jurgen Zela
Në janar do të ketë shumë largime nga Kukësi, pasi revolucioni është paralajmëruar prej kohësh dhe është konfirmuar pas humbjes me Lushnjën. Vetë presidenti Safet Gjici e ka konfirmuar për mediet pas ndeshjes së fundit se trajneri është i paprekshëm dhe se nga Kukësi do të ketë spastrime. Me siguri do të largohen lojtarë, të cilët kanë qenë mjaft të rëndësishëm në të shkuarën, por tashmë nuk po përshtaten me filozofinë e trajnerit Milinkoviç. Megjithatë, nuk pritet që të jetë vetëm largime për performacën e dobët. Edhe pse Kukësi nuk është aty ku pritej, disa lojtarë kanë bërë më të mirën e tyre, duke spikatur dhe duke tërhequr vëmendjen e skuadrave të tjera, qofshin këto edhe të huaja. Te Kukësi mund të vijnë oferta në drejtim të lojtarëve si Koliçi, Guri, Bakaj apo Musolli.
BAKAJ – Ai që ka rënë më shumë në sy këtë edicion te kuksianët është Elis Bakaj. Sulmuesi është golashënuesi më i mirë i skuadrës. Me 8 golat që ka shënuar deri tani, i ka dhënë jo pak pikë skuadrës së Kukësit. Bakaj zgjodhi kampionët në fuqi në fillim të sezonit, duke firmosur një kontratë 1-vjeçare, por duket se mund të lëvizë që në janar, edhe pse është një nga lojtarët më të rëndësishëm të Kukësit. Për kryeqytetasin duket se ka interes nga jashtë vendit. Sport Ekspres mëson se Bakajn e kërkojnë në Kazakistan, ku një skuadër e Superligës, emri i së cilës nuk bëhet me dije ende, po e vëzhgon 30-vjeçarin dhe ka gati një ofertë konkrete,q ë do ta paraqesë ditët e para të janarit për kampionët. Gjithçka duket se është në dorë të Kukësit, që duhet të paraqesë pretendimet e tij financiare. Mbetet për tu parë, nëse drejtuesit e Kukësit do të mjaftohen me ofertën që do vijë apo do të kërkojnë më shumë. Humbja e fundit ishte një goditje finale sa i përket titullit dhe Kukësi mund të shohë mundësinë që të shesë ndonjë lojtarë për të shpëtuar sezonin. Megjithatë, çdo gjë mbetet për tu parë, pasi pika e referimit te Kukësi është pikërisht Elis Bakaj, i cili e ka marrë përdore Kukësin këtë sezon.