Debrecen është kundërshtari i Kukësit në Europa League. Hungarezët, me të mësuar emrin e rivalit, kanë nisur të “gërmojnë” dhe të kërkojnë informacion për verilindorët. Kjo është me shumë rëndësi dhe e thotë edhe vetë trajneri Herczeg Andras.
“I dija ekipet që mund të përballeshim me to, por nuk kisha ndonjë dëshirë për shortin. Momentalisht di që Kukësi ka fituar Kupën e Shqipërisë dhe është renditur në vendin e dytë në kampionat”, shprehet Andras, i cili gjithashtu tregon që është në dijeni edhe se Kukësi ka pasur largime.
Më tej ai shton: “Do mundohemi t’i studiojmë dhe të marrim sa më shumë informacion rreth tyre dhe të përpiqemi t’i shfrytëzojmë maksimalisht. Veç kësaj duhet të shikojmë edhe stilin e tyre të lojës”. Andras, në fund thekson se janë të përqendruar vetëm te ndeshjet e Europës për momentin.
“Është e qartë se ne dhe Kukësi duam të shkojmë përpara dhe duhet të bëjmë më të mirën. Për momentin po përqendrohemi te ndeshjet e Europës, pasi kampionati nis me 3 gusht. Besoj se këto ndeshje do të kenë një impakt të mirë në përgatitjet tona”, përfundon Andras.