Barazimi në derbi ishte dhurata më e bukur për Kukësin, që nuk mund të shpërdoronte shansin ideal 24 orë më vonë, kundër Luftëtarit.
Skuadra e drejutar nga Armando Cungu ka fituar 3-0 në Elbasan Arena, në një sfidë të kontrolluar me shumë qetësi dhe të mbyllur që në 45 minutat e para.
Cungu e nisi me Rexhinaldo-Shkurtaj në sulm, por sfidën e zgjidhën mesfushorët.
I pari ishte Limaj, me një supergol nga distanca, duke thyer rezistencën gjirokastrite, ndërsa në shtesën e pjesës së parë një skemë e shkëlqyer gjeti në zonë gjeorgjianin Dzaria dhe erdhi goli i sigurisë.
Në pjesën e dytë ritmi ra dhe Kukësi u mundua të kontrollonte me qetësi ndeshjen, duke mos u sforcuar dhe duke mos rrezikuar dëmtime të reja, sepse në pjesën e parë u dëmtua keq Cuculi.
Luftëtari ishte i pafuqishëm dhe vrapi i trajnerit Julian Ahmataj ndalet këtu, pas 4 ndeshjesh të shkëlqyera.
Në fundin e ndeshjes lavdi edhe për Valdet Ramën, i cili shënoi golin e tretë në shtesë me një parabël spektakolare, i dyti personal për ish-futbollistin e kombëtares.
Kategoria Superiore – Java 24
E shtunë, më 2 mars, ora 14:00
Stadiumi “Elbasan Arena”, Elbasan
KUKËSI-LUFTËTARI 3-0
Shënues: Limaj 22′, Dzaria 45+3′, Rama 90+3
Kukësi: Frashëri, Maliki, Shameti, Cuculi (Teqja 12′), Rrumbullaku (Xhemaili 61′), Çyrbja, Limaj, Dzaria, Ethemi, Rexhinaldo, Shkurtaj (Rama 46′). Trajner: Armando Cungu
Luftëtari: Ruçi, Rapa (Açka 46′), Hoxha, Koconis, Xhekson, Ramadani (Hanti 46′), Rapo, Ymeraj, Demo, Fili, Dunga. Trajner: Julian Ahmataj
Gjyqtarë: Kridens Meta, Egin Doda, Emigers Ganxhi, Kreshnik Cjapi
Delegat: Lysien Nurishmi; Vëzhgues: Besnik Kaimi
Kartonë të verdhë: Limaj 35′ / Koconis 40′
EPISODET
90’+3 GOL VALDET RAMA! Kundërsulm perfekt, Rama del i vetëm me portierin dhe tenton një parabël, me topin që prehet në rrjetë.
89′ Teqja largon një top të rrezikshëm brenda zone. Ndërhyrje e pastër, por mjaft e guximshme, sepse qendërmbrojtësi mund të shkaktonte penallti. Të kota protestat e gjirokastritëve.
80′ Gjirokastritët janë më kërkues prej shumë minutash, por Kukësi po kontrollon me qetësi dhe e ka ulur ndjeshëm ritmin. Mungojnë rastet për shënim dhe ndeshja po zvarritet drejt përfundimti.
61′ – Probleme për Rrumbullakun, mbrojtësi i majtë del nga loja për të riun Faton Xhemaili. Zëvendësim i detyruar.
57′ – Fili provon me një goditje nga distanca, fieraku i pasaktë në tenativën e tij. Mbi tra topi i gjuajtur nga sulmuesi anësor.
46′ – E dyta nis me zëvendëzime. Shkurtaj lë fushën për Valdet Ramën, kurse te Luftëri Rapa e Ramadani zëvendësohen nga Açka e Hanti
45+3 GOL – Dy minuta shtesë të akorduara dhe Kukësi fiton një faull. Kryesori Meta lejon të ekzektutohet dhe pas një skeme Irakli Dzaria shfrytëson pasimin e Ethemit dhe realizon.
22′ GOL – Vesel Limaj arrin të realizojë golin e avantazhit për Kukësin. Mesfushori mposhti Ruçin me një gjuajtje nga jashtë zone.
20′ – Ethemi nga e majta lëviz mirë dhe fut një top në zonë. Shkurtaj nuk e arrin topin, që shkon te Çyrbja. Ky i fundit me të majtën godet mbi tra.
15′ – Valon Ethemi provon me një goditje dënimi në pozicion ballor. Mesfushori anësor gjuajti mbi tra, asnjë rrezik për portierin Ruçi.
10′ – Ardian Cuculi dëmtohet dhe lë fushën e blertë, dy minuta më vonë Teqja aktivizohet në vend të tij. Mbrojtësi shqiptar nga Maqedonia doli nga fusha me ndihmën e Rexhinaldos e Shametit dhe shpresohet mos të ketë një dëmtim të rëndë.
5 minutat e para – Gjirokastritët janë të vendosur prapa dhe mundohen të mbyllin hapësirat për futbollistët e Kukësit, të cilët duan të realizojnë sa më shpejt.