Kukësi mbyll fazën, Milinkoviç do afrime

Kampionët rikthehen sot në Shqipëri. Numri një i stolit nuk është krejtësisht i kënaqur me skuadrën. Merkato? S’ka më kohë

Kampionët e Shqipërisë kanë zhvilluar në Ohër fazën përgatitore para fillimit të kampionatit. Diferencat e përkushtimit para Champions Leagues janë të dukshme, më herët verilindorët u stërviten në Austri, ndërsa përgatitjet e pragsezonit i gjejnë në Maqedoni.
Kukësi, kampioni i vjetshëm, nuk është më i njëjti, ka një fytyrë të re, pasi ka ndryshuar stafi teknik dhe lojtarët e formacionit.
Tekniku Mladen Milinkoviç ka marrë frenat e ekipit bashkë me stafin e tij dhe skuadra është zotuar për të ndryshuar fytyrë.
Pas dy javësh në Ohër, skuadra e Kukësit do të rikthehet sot në Tiranë. Ekipi do të lërë Ohrin pas drekës, ata pritet të mbërrijnë në kryeqytet rreth pasdites së vonë.
Faza përgatitore e Ohrit ka rritur ndjeshëm parametrat fizik të futbollistëve, por tekniku nuk është krejtësisht i kënaqur nga skuadra e tij. Përformanca e futbollistëve nuk ka lënë krejtësisht të kënaqur numrin një të pankinës, të paktën këtë tregojnë burimet brenda ekipit të Kukësit.
KTHIMI – Pas rreth dy javësh në Ohër, skuadra e Kukësit do të rikthehet sot në Tiranë për të vijuar përgatitjet në kryeqytet. Kampionët e Shqipërisë kanë përpara detyrën e vështirë të mbrojtjes së titullit kampion, por gjithashtu duhet të nisin sezonin edhe me Superkupën. Dita e sotme do t’i gjejë lojtarët e Kukësit të bërë gati për t’u rikthyer në Tiranë. Verilindorët do të nisen, pasi të konsumojnë edhe drekën në hotel “Granit”, aty ku janë të akomoduar.
MILINKOVIÇ – Trajneri Mladen Milinkoviç nuk është krejtësisht i kënaqur nga rendimenti dhe forma e treguar nga skuadra. Ndeshja me Pogradecin ka lënë të pakënaqur numrin një të pankinës. Ai ka kërkuar më shumë ritëm nga skuadra e tij dhe dëshiron që ekipi të luajë me topa poshtë dhe një lojë me logjikë dhe jo me topa të gjatë.
Tekniku serb madje ka kërkuar që edhe të ndërhyhet në merkato, pasi dëshiron të sjellë ndonjë futbollist të ri.
MERKATO – Kukësi e kishte konsideruar të mbyllur merkaton. Verilindorët nuk kanë dashur të afrojnë më futbollistë dhe kështu do të ndodhë edhe pse tekniku i tyre është i dyzuar për këtë gjë. Megjithatë, fakti që merkatoja është në mbyllje dhe lojtarët cilësorë kanë gjetur ekipe bën që Kukësi të mos tentojë për të afruar ndonjë futbollist, pasi nuk duan që të rrezikojnë. Futbollisti i afruar mund të dalë i dobët dhe koha për t’u përshtatur me ekipin është e limituar. Prandaj, drejtuesit e kampionëve nuk do t’i plotësojnë dëshirën Milinkoviçit dhe nuk do të afrojnë më lojtarë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *