Në raundin e dytë kualifikues të Champions Leagues, Kukësi do të përballet me skuadrën kampione të Azerbajxhanit, Karabagun. Ndeshja e parë do të luhet pas një jave në “Loro Boriçi” më datë 24 korrik, ndërsa ajo e kthimit në transfertën azere. Kundërshtar i Kukësit do të jetë dhe kapiteni i Kombëtares së Shqipërisë, Ansi Agolli.
Kukësi mund të ishte ndeshur dhe vjet me Karabagun, nëse verilindorët do të kishin kaluar Sherifin e Tiraspolit në eliminatoret e Champions-it të kaluar, por penalltia e humbur e Pero Pejiç dhe shpërdorimet e shumta përpara porte e shtynë për një vit përballjen mes palëve.
Skuadra azere ka një buxhet shumë herë më të madh se Kukësi, dhe vitin e kaluar arriti për herë të parë pjesëmarrjen në fazën e grupeve të Champions-it, ku befasoi spanjollët e Atletiko Madridit duke i marrë skuadrës së Simeones dy barazime.
Sfidë natyrisht shumë e veçantë edhe për kapitenin e kombëtares shqiptare Ansi Agolli, i cili do të rikthehet të luajë në Shqipëri për një ndeshje në nivel klubesh pas plot nëntë vitesh. Megjithëse duhet përmendur se gjasat që 36-vjeçari të luajë janë të paktë, pasi në ndeshjet e fundit pozicioni i mbrojtësit të krahut të majtë i është besuar lojtarit nga Haiti Uild-Donald Gërrier.