Kukësi u mund në Korçë, duke thyer ecurinë pozitive prej katër fitoresh. Skuadra e Armando Cungut u tregua e pafuqishme në sfidën me korçarët, pasi bëri shumë pak për të marrë një rezultat pozitiv. Gjithsesi, nuk ka kohë për të humbur, pasi në horizont është një tjetër ndeshje e vështirë.
Ndaj Partizanit kuksianët duan me çdo kusht fitore, pasi në të kundërt vendi i parë do të largohej ndjeshëm, sepse të kuqtë janë skuadra që momentalisht kryesojnë klasifikimit. Te Kukësi e kanë të qartë se një tjetër rezultat negativ do i ndërlikonte pozitat e tyre, duke pasur parasysh që janë të vetmit që e kanë deklaruar me zë të lartë se objektivi i tyre është vetëm titulli kampion.
Edhe pse pretendimet janë madhore, Kukësi deri më tani ka bërë shumë pak ndaj skuadrave që janë në pjesën e sipërme të klasifikimit. Ka barazuar me Laçin, ndërkohë që është mundur nga Flamurtari dhe Skënderbeu. Me Partizanin është sfida e katërt me skuadrat që janë në gjysmën e sipërme të klasifikimit.
Kuksianët duhet të tregojnë në fushën e blertë se janë ata pretendentët kryesorë për titull, pasi deri më tani rezultate me skuadrat e sipërme të klasifikimit nuk kanë qenë në favorin e tyre.