Nuk ka qetësi për Kukësin, sepse edhe sot Federbet e ka akuzuar për trukim të ndeshjes kundër Dinamo Moskës, duke denoncuar luhatjet e kuotave në tregun ndërkombëtar të basteve.
Menjëherë ka reaguar Kukësi, që ka kërkuar nga Federbet të faktojë ato që shkruan në Facebook dhe të paraqitë kuotat e çrregullta që vërtetojnë trukimin, duke qenë kuotat burimi i vetëm i konkluzionit të Federbetit.
“Klubi i Kukësit e gjen të rastit të reagojë edhe zyrtarisht në lidhje me akuzat absurde të Federbetit. Seriozitetin dhe profesionalizmin nga retorika boshe dhe anësia e dukshme i ndan një moçal i madh dhe fatmirësisht, ne e gjejmë veten në anën e duhur të bregut, ndërsa persona të tillë që shkruajnë pa fakte janë të zhytur deri në fyt.
Flasim për anësi, dashakeqësi dhe fjalë boshe, sigurisht fjalë boshe, pasi të marrësh guximin dhe të vendosësh gishtin mbi një ekip, pa asnjë fakt, atëherë nuk mund të flitet për gjë tjetër. “Vlerësojmë” sigurinë e Federbetit në lidhje me ndeshjet e Kukësit, por minimalisht në të paktën një nga ndeshjet duhet të nxirrte një të dhënë në lidhje me çrregullimet e pretenduara të basteve. E sfidojmë, ta bëjë, një fakt!
Ndryshe nga Federbeti, që duket sikur gjen nxitje nga egoja dhe dëshira e sektorëve të caktuar që i frymëzojnë edhe nga Shqipëria, për të “nxirë” ekipin e Kukësit, ne kemi kontrolluar dhe pyetur edhe specialistë të fushës. Asnjë çrregullim bastesh, në asnjërën nga ndeshjet e pretenduara.
Inkurojmë luftën kundër trukimeve dhe jemi në krah të çdo lloj organi që lufton realisht këtë fenomen negative që ka prekur futbollin botëror, jemi në ndihmë të tyre. Nga ana tjetër, përçmojme me forcë organe të tilla si “Federbet”, që mundohem të mbajnë “pishtarin” e kësaj lufte duke vendosur “njolla” dhe “luftuar” në ajër dhe pa baza reale. Jemi të ndryshëm dhe në këtë pjesë, pasi lufta jonë nuk është me fjalë boshe, apo me shkrime te sponsorizuara “Facebooku”. Lufta jonë do të jetë ligjore dhe do t’i shkojmë deri në fund kësaj çështjeje, jemi të vendosur për këtë gjë. Nuk lejojmë askënd që të njollosë emrin e ekipit të Kukësit, pasi kemi qenë lokomotivë e ekipeve shqiptare në Europë duke i dhënë mësim të gjithëve se mund të ecësh dhe të fitosh edhe me pastërti.
Në fund, nuk mund të qëndrojmë pa i bërë një ftesë Z. Francesco Barankës për të parë nga afër të gjitha ndeshjet e ekipit të Kukësit, pasi atëherë edhe relacionet e tij, mbase do të ishin më reale dhe do të merreshin më seriozisht.
Kemi humbur dy ndeshje me rezultate të thella dhe sigurisht që nuk ndihemi mirë, por nuk mund të qendrojmë pa përmendur edhe kundërshtarët e fortë dhe lodhjen e ekipit. Nuk justifikohemi, pasi ne duam të arrijmë maksimumin dhe kemi objektivat tona që duam t’i realizojmë, por në asnjë mënyrë nuk mund të lejojmë askënd të njollosë emrin e Kukësit.
Në fund, i kujtojmë edhe “dashamirësve” tanë në Shqipëri, se duhet të kenë durim, pasi përballja ligjore do të shohë kush ka të drejtë!”.