Fitorja me Tiranën normalisht ka sjellë qetësinë tek Kukësi, i cili tani mendon për ndeshjen e Kupës së Shqipërisë me Orikun, por dhe për sfidën e ardhshme në kampionat me Teutën. Verilindorët janë rikthyer me 2 seanca në ditë, teksa paradite ekipi kryen ushtrime force në palestër, ndërsa pasdite kryen përgatitjet në Pezë-Helmëz. Në seancën e sotme stërvitore, bie në sy në fotot e publikuara nga klubi i Kukësit dhe mesfushori Valon Ethemi.
Tetovari është dënuar nga drejtuesit për t’u stërvitur me ekipin e dytë deri në një njoftim të dytë dhe diçka e tillë duket se ende nuk ka ndodhur. Burime për “SportEkspres.com” bëjnë me dije se tetovari ka takuar vetëm shokët e ekipit aty, pasi vijon programin me skuadrën e dytë, por dhe palestrën paradite. Kujtojmë që veç Ethemit edhe Donjet Shkodra është nxjerrë nga planet e klubit dhe stërvitet së bashku me Ethemin.
TË HUAJT – Te Kukësi duket se i janë rikthyer një praktike që nuk e kishim parë të ndodhte në vitet e shkuara. Plot 8 lojtarë të huaj janë federuar me Kukësin këtë edicion, diçka që në të shkuarën kishte ndodhur, por jo në vitet e fundit. Plot 7 lojtarë të huaj ka ekipi i Kukësit këtë edicion në përbërjen e tij duke nisur që nga Harba, Rexhinaldo, Toure, Shpehar, Tigruxha, Uilliam dhe Dzaria. Gjatë ,merkatos u afrua dhe braziliani Roxher, por ky i fundit u huazua tek ekipi i Kastriotit.
Pak kohë më parë u diskutua se mund të rritej numri i të huajve në fushën e blertë, por duket se dhe këtë edicion kjo gjë nuk do të ndryshojë. Ky nuk duket një lajm dhe aq i mirë për kuksianët që kanë një organikë të pasur me të huaj.