Klubi verilindor refuzon të pranojë që ka gabuar dhe FSHF nuk mban asnjë qëndrim, duke e parë që ka gabuar edhe vetë. Alla mund të penalizohet gjithashtu, por Kukësi nuk përfiton asgjë
Albi Alla është te Larisa prej javësh dhe është zyrtarizuar aty që prej 1 korrikut, por Kukësi nuk ka ndërmend të heqë dorë prej gjyqit ndaj tij. Supersport raporton se klubi verilindor po e vazhdon betejën ligjore në FSHF, aty ku ka paraqitur kontratën e Allës, ku shkruhej se mbrojtësi duhej të luante me Kukësin në kupat e Europës dhe sipas klubit verilindoër, Larisa ka biseduar dhe firmosur me lojtarin pa i përfunduar kontrata.
Megjithatë, klubi grek pretendon se kontrata nis në 1 korrik dhe Albi Alla ka mbyllur gjithçka më 30 qershor. Sipas tyre, nuk është e ligjshme që kontrata e mbyllur më 30 qershor ta mbajë lidhur Allën edhe për kupat e Europës. Kush ka të drejtë? “Sport Ekspres” ka komunikuar me të gjitha palët e përfshira dhe realisht të gjithë kanë gabuar.
1. Kukësi u firmos futbollistëve kontrata të paligjshme, sepse asnjë kontratë nuk duhet të ketë fuqi vepruese matanë 30 qershorit, nëse përfundon aty. Loja e detyrimit për të luajtur vetëm në kupat e Europës është një shpikje shqiptare dhe UEFA e FIFA nuk e njohin absolutisht.
2. Alla ka faj sepse ka firmosur një kontratë të parregullt dhe nuk e ka lexuar gjithçka me vëmendje, apo e ka firmosur me vetëdije, duke mos u shqetësuar shumë për pasojat. Prej janarit Alla është bërë me menaxher grek dhe kompania që e përfaqëson ka zbuluar detajet e çuditshme të kontratës së tij, që janë të paligjshme.
3. Federata Shqiptare e Futbollit ka faj që lejon deformimin e kontratës tip nga UEFA e FIFA. FSHF u jep klubeve kontratën tip, që mund të ketë modifikime e klauzola sipas dëshirës, por asnjëherë duke shkelur rregullat, si në rastin e Kukësit, që përpilon kontratë njëvjeçare me shtrirje në dy sezone. FSHF duhej t’i kishte ndaluar me kohë kontrata të tilla, por duket qartë që ose nuk i ka lexuar fare, ose nuk e ka vrarë mendjen, për sa kohë futbollistët nuk janë ankuar.
Si i bëhet? Nëse Kukësi këmbëngul dhe vërtet kërkon të shkojë në gjyq me Larisën dhe Allën, FSHF është jashtë loje, nuk dënon dot e nuk i jep dot drejtësi askujt, sepse vetë e ka bërë lëmsh.
Çështja do të shkojë në FIFA e më pas në KAS dhe me shumë mundësi skenari do të jetë ky: Kukësi do të dënohet për përpilim kontratash të jashtëligjshme, Alla do të dënohet më pak, sepse ka firmosur me/pa dashje, një kontratë të paligjshme.
Nëse çështja shkon në KAS,
“digjet” qendërmbrojtësi
Fillimisht do të jetë FIFA ajo që do të japë versionin e saj dhe do të vendosë drejtësinë. Nëse as këtu palët nuk do të gjejnë paqe, atëherë fjala e fundit do i takojë KAS-it, që tashmë është i mirënjohur në Shqipëri, për rastet e njëpasnjëshme, që pas precedentit të Beogradit. Në këtë pikë, pavarësisht se kujt do t’i japë të drejtë institucioni më i lartë i drejtësisë sportive, Alla do të penalizohej, duke mos pasur të drejtë që të aktivizohet në takime zyrtare. Burime pranë lojtarit bëjnë me dije se kjo situatë do të zgjidhet shumë shpejt dhe do të jetë më e lehtë nga ç’pritet, pasi dihet se presidentit i Larisës është një nga avokatët më të fuqishëm në Greqi.
Nga largimi tek deklaratat,
precedenti i Allës “unik”
Titulli kampion ishte arritja më e madhe e klubit të Kukësit, por gjërat që prej asaj dite nuk kanë shkuar në mënyrën më të mirë të mundshme. “Goditja” e parë ishte largimi i qendërmbrojtësit Albi Alla, i cili ishte projektuar si një nga shtyllat e ekipit dhe në kupat e Europës, megjithatë lojtari pretendoi se i ka përfunduar kontrata. Menjëherë u kundërpërgjigj Kukësi, i cili paraqiti kontratën e lojtarit dhe një nga pikat e klauzolës, sipas së cilës thuhej: “Lojtari pranon dhe merr përsipër se do të vazhdojë të luajë me të njëjtat kushte dhe në rastin e zgjatjes së afatit të sezonit të futbollit nga FSHF dhe/ose kualifikimit të klubit në kupat e Europës ose në Champions League. Në këto raste kontrata zgjatet automatikisht, pa limit, një absurditet më vete. Në rast se lojtari nuk paraqitet pranë klubit për të marrë pjesë në kupat e Europës apo Champions League, Alla duhet t’i paguajë klubit deri në 500.000 euro brenda 30 ditësh nga kërkesa shkresore ose verbale të bëra nga klubi dhe për çdo ditë vonesë lojtari deklaron se do të paguajnë penalitet prej 0.5% të shumës totale. Lojtari deklaron se nëse ai nuk kryen pagesën, kjo do të përbëjë kusht që FSHF, UEFA dhe FIFA të mos e lejojë lojtarin të transferohet në ekipe të tjera vendase dhe të huaja”. Në hapat e parë të konfliktit, verilindorët kërkuan që lojtari të kthehej dhe do ja hidhte vetëm me një gjobë. Menaxheri i lojtari, i kontaktuar nga “Sport Ekspres” pak javë më parë, deklaroi se kontrata ishte e paligjshme dhe se nuk i druhej aspak një beteje ligjore me Kukësin: “Kontrata e klientit tim është brenda rregulloreve të FIFA-s dhe do të zbatojë ato, asgjë tjetër. Kaq, gjithë të tjerat janë diskutime pa vlerë. Sipas ligjit, një kontratë ka një kohëzgjatje në bazë të periudhave të transferimeve. Një vit, një vit e gjysmë, etj. Kontrata fillon dhe përfundon në afatet e lejuara të dritareve të merkatos, jo më tej. Nëse Alla ka firmosur për sezonin 2016/17, nuk lejohet me ligjet e FIFA-s që në bazë të asaj kontrate ai të vazhdojë të luajë deri në korrik apo gusht 2017, sepse në 1 korrik nis zyrtarisht sezoni i ri. A i druhemi një beteje ligjore me Kukësin? Jo, absolutisht. Nëse Kukësi dëshiron, le ta çojë çështjen në gjyq, nuk ka asnjë problem. Unë mund të them që jemi një kompani shumë e madhe, kemi besim te departamenti ynë ligjor dhe unë flas në bazë të letrave, të dokumentacionit dhe të rregullores së FIFA-s. Ne zbatojmë ligjet e futbollit të FIFA-s dhe UEFA-“s. Situata qëndroi e ngrirë për pak kohë deri në momentin që qendërmbrojtësi i përfaqësueses kuqezi u prezantua në klubin grek të Larisës, Kukësi përsëri doli me një deklaratë që lajmëron se do të kërkojë dëmshpërblim për këtë transferim jo të rregullt. Siç parashikon kontrata, verilindorët kërkuan 500 mijë euro dëmshpërblim për prishje të njëanshme të kontratës. Tashmë situata ka ndryshuar dhe siç bëhet e ditur pretendimet e klubit kampion kanë ndryshuar, duke e rritur ndjeshëm kërkesën financiare, që arrin në 3 milion euro. Është e vështirë që të gjendet një precedent që të jetë ndjekur nga një klub me kaq shumë ngulm sa Kukësi. E sigurt është që në këtë histori do të dëmtohen të gjithë.