Klubi i Luftëtarit ka postuar ditën e sotme një deklaratë të presidentit Grigor Tavo, i cili përgënjeshtron lajmin se ai mund të shesë aksionet e bluzinjve. Ç’është e vërteta është një deklaratë e cila ka qarkulluar online prej dy ditësh, por vetëm sot klubi është kujtuar që ta postojë në faqen e saj në “Instagram”.
“SportEkspres.com” ka tentuar të kontaktojë me zëdhënësin për shtyp, Rigels Malile, por nuk ka marrë asnjë përgjigje. Nuk është normale që një klub futbolli shpërndan në mënyrë selektive deklarata dhe më pas i poston në faqen e saj zyrtare.
“Shumë shpejt do të shihni Luftëtarin e vërtetë. Duke marrë shkas nga shkrimet në disa portale,se Grigor Tavo është duke shitur Luftëtarin për shkak të borxheve, ndiej detyrimin moral të sqaroj opinionin publik se Luftëtari është pjesë e pandarë e imja dhe për asnjë arsye nuk do të largohem dhe të braktis Luftëtarin. Për sa i përket gjendjes financiare të ekipit,është i vërtetë fakti që Luftëtari, ashtu siç do skuadër tjetër në Shqipëri, ka detyrime të cilat janë akumuluar nga aktiviteti i shoqërisë”.
“Gjithashtu është e vërtetë si drita e diellit që detyrimet që Luftëtari ka për të vjelë janë shumë më të larta se borxhi, kështu që skuadra në aspektin financiar është rentabël. Pjesën se unë dashkam që problemet financiare t’ia faturoj Bashkisë Gjirokastër, e quaj qesharak,pasi gjyqi me Bashkinë është vetëm për të kaluar në llogarinë e Luftëtarit kontributin që kjo Bashki duhet të derdhë si aksionere në skuadër. Grigor Tavo, me financimin e tij dhe kontributin e Bashkisë Gjirokastër,për pjesën që i takon, e ktheu Luftëtarin në Kategorinë Superiore dhe për dy sezone me radhë,bëri krenar me rezultate një qytet të tërë. Aludimeve se Luftëtari është keqmenaxhuar dhe për pasojë nuk merr dot rezultate,skuadra do t’u përgjigjet në fushë pasi me punën serioze,shpresoj dhe besoj se shumë shpejt do të shihni Luftëtarin e vërtetë”.